Kurti: Zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje, partitë opozitare të reflektojnë

Kurti: Zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje, partitë opozitare të reflektojnë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhjet e reja nuk do të ofronin zgjidhje, prandaj ka kërkuar reflektim nga partitë opozitare për zgjidhjen e çështjes së presidentit të ri të vendit.

Duke folur për media nga Klinika e Kardiologjisë, ku u bë përurimi i renovimit të këtij objekti, Kurti tha se edhe nëse shkohet në zgjedhje të reja, ato nuk do të jenë zgjidhje dhe sipas tij do të hyjmë në një cikël të zgjedhjeve të reja.

“Nëse shkojmë në zgjedhje të reja së paku 10 milionë euro shkojnë për organizimin e tyre. Nëse shkojmë në zgjedhje të reja për shkak se nuk funksionon kuvendi i Republikës do t’i humbim dhjetëra milionë euro si shtet. Dhe nëse shkojmë në zgjedhje të reja nuk do të kemi zgjidhje, meqenëse sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, e pas atyre sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, pasi nuk e di si mund t’i kemi 80 deputetë”, tha Kurti.

Për këtë arsye, sipas kryeministrit është e domosdoshme që partitë të merren vesh mes vete.

“Unë kam qenë shumë bujar me partitë opozitare. Ne vetëm 30 orë para skadimit të afatit në mesnatën mes 5-6 marsit e kemi propozuar emrin e Glauk Konjufcës dhe vetëm tri orë para skadimit të atij afati e kemi propozuar kandidaten e dytë, deputeten Fatmire Mullhaxha Kollçaku. Pra, kemi pritur gjatë që të merremi vesh me opozitën. Meqenëse nuk u morëm vesh deshëm të takohemi e të merremi vesh edhe atëherë kur çështja shkoi në Gjykatën Kushtetuese. Na u tha pas aktgjykimit. Pas aktgjykimit u takova me LDK-në, e PDK refuzoi. LDK-së ia kam bërë dy oferta. Njërën për bashkëqeverisje e tjetrën për rokadë në kryesinë e kuvendit. Pastaj PDK-së për rokadë në kryesinë e kuvendit, por thjesht nuk po më duken të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje, dhe ky është një dëm i madh për shtetin e Kosovës”, shtoi Kurti.

Ai tutje tha se para një viti tema kryesore ka qenë “qysh nuk bën Albulena Haxhiu të bëhet kryetare e Kuvendit, sepse është konfliktuoze e përçarëse dhe është aq e rrezikshme saqë do të dëmtohet pakthyeshëm funksionimi i institucioneve dhe shtetndërtimi demokratik në Kosovë”.

“E patën linçuar dhe stigmatizuar Albulena Haxhiun, gruan më të votuar të legjislaturës së nëntë. Ku jemi sot pas një viti, Albulena Haxhiu është kryetare e Kuvendit, ajo është edhe ud.presidente e vendit dhe Albulena Haxhiu nuk është as konfliktueze as përçarëse”, nënvizoi shefi i qeverisë.

Sipas kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, të gjitha ”zhurmat dhe piskamat” që dëgjohen, sipas tij,  me ankesa të paarsyeshme ndaj LVV-së, nuk po u bëjnë dëm kësaj partie. “Ne prapë po mbërrijmë aty, janë duke i bëri dëm shtetit, duke i humbur edhe buxhet edhe kohë”, tha Kurti.

Ai tha se partisë që i ka 15 deputetë (LDK-së) i ka ofruar që kryetari i saj të jetë zëvendës i tij në qeveri.

“Që i bie në mungesë timen ai t’i udhëheq mbledhjet, si dhe katër ministri. Pra LDK-së, unë i  kam ofruar dyfishë më shumë se sa partisë Guxo. Partia Guxo ka garuar bashkë me mua, e partisë që ka garuar kundër meje i kam ofruar dyfishë më shumë dhe u refuzuam. U tha që nuk bën Vetëvendosje t’i ketë tri pozitat. Po ja pra s’po e kemi kryetarin e Kuvendit. Jo po VV nuk duhet ta ketë presidentin. Po le të ma gjejnë një njeri më të mirë se Glauk Konjufca që i ka mbi 318 mijë vota. Kur dikush thotë nuk bën VV është duke thënë nuk bën Glauku. Ju të gjithë e dini se opozita ka mendim më të mirë për Glaukun se për mua. Pse nuk e votojnë Glaukun ose nëse nuk e votojnë Glaukun pse nuk propozuan asnjëherë ndonjë emër”, theksoi tutje Kurti.

Ai tha se partitë opozitare nuk i kanë numrat as për të aplikuar për president ndaras, pasi për një gjë të tillë duhen 30 nënshkrime. Por, ka thënë se së bashku mund ta propozojnë një kandidat jashtë skenës politike dhe të ecet tutje.

“LDK i ka 15 deputetë, kurse PDK 22 deputetë. Nëse këto do të bëheshin bashkë do ta kishin një kandidat. Le të përdorin kriteret që i përdorin për neve, një kandidat jashtë skenës politike aktuale dhe le të ecim përpara. Ne duhet të qeverisim. Rezultatin e zgjedhjeve nuk e ndryshojmë dot. Besoni se thellësisht po del se nuk kanë  problem me mua por me popullin. Populli e ka votuar Vetëvendosjen 51 përqind. Këta kanë problem me popullin”, theksoi Kurti.

Ai kërkoi reflektim të PDK-së e LDK-së, të cilat i quajti si dy partitë tradicionale në vend.

“Duhet të reflektojnë e të mendojnë si u bë që dy partitë ma të vjetra tradicionale në Republikën e Kosovës, njëra ra në 22 deputetë e tjetra në 15. Në vend që ta analizojnë situatën aktuale dhe vullnetin e popullit ta lexojnë drejtë e ta pranojnë, thonë jo bën ky jo s’bën ai. E mbani mend vitin e kaluar, 50 seanca nuk bën Albulena dhe tash ajo është kryetare  e Kuvendit. 50 herë thanë nuk bën Albulena. Tash e kanë kryetare, madje e kanë edhe ud.presidente. Edhe një herë them se duhet të jemi të arsyeshëm mos t’i shpenzojmë për zgjedhje të reja mbi 10 milionë euro e t’i humbim dhjetëra milionë të tjera”, përfundoi Kurti.

Ndërkohë, kanë mbetur vetëm edhe pesë ditë deri te përfundimi i afatit të Gjykatës Kushtetuese për të zgjedhur presidentin e vendit. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë vendi automatikisht shkon në zgjedhje të reja.