Presidentja, Vjosa Osmani, e ka anuluar pjesëmarrjen në Konferencën e Sigurisë në Munih me arsyetimin se ka, “angazhime institucionale dhe prioritete që lidhen me zhvillime brenda vendit”.
Se a lidhen këto prioritete edhe me angazhimin e Osmanit për ta siguruar edhe një mandat si presidente, nuk e kanë bërë të qartë nga Zyra e saj.
Partitë pjesë e bllokut opozitar, PDK, LDK dhe AAK nuk e kanë përmendur asnjë emër si kandidat të mundshëm, por as nuk kanë shprehur përkrahje publike për Osmanin, por vazhdimisht kanë theksuar se duan paraprakisht marrëveshje politike.
As Albin Kurti, kryeministri i rizgjedhur, udhëheqësi i partisë e cila i ka 57 deputetë, nuk ka dhënë asnjë shenjë se e përkrah Osmanin, as në deklarimin e parë në krye të Qeverisë Kurti 3.
“Pas konstituimit të Kuvendit dhe qeverisë mbrëmë, jemi në hapin e tretë, votimi i buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Porsa të përfundohen këto jam i gatshëm që nga nesër të fillojmë kontaktet me subjektet tjera politike për çështjen e Presidentit”, ka thënë Kurti.
Siç ndodh rëndom, edhe kësaj radhe, për postin e presidentit në diskutim publik nuk kalon pa u përmendur edhe mundësia që postin e të parit të shtetit ta marr dikush nga familja Jashari.
“Një i afërm i familjes Jashari, po më shkruan gjuha e Kurtit, pro UÇK-së tregon se kandidati për president do të jetë një nga familja Jashari”, ka thënë autori i emisionit Debat Plus, Ermal Panduri.
Për këtë çështje, televizioni ka pyetur Bekim Jasharin, por ai nuk është përgjigjur gjatë ditës.
Ish-ambasadori i i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, vlerëson se bazuar në qëndrimet e shfaqura publikisht, tek asnjëra parti, tash për tash, nuk vërehet disponim për të e përkrahur Vjosa Osmanin edhe për një mandat.
“Vetë fakti që Kurti kishte bërë me dije se do të ulet me partitë politike për ta gjetur një lloj marrëveshje për presidentin, unë mendoj se është pozitive. Unë mendoj që edhe Kurti e konsideron që nuk është e dobishme që Kosovë të shkojë në zgjedhje, sepse ne e kishim këtë prolbemin e vitit të kaluar dhe nuk do të ishte e leverdishme. Në anën tjetër duhet të e heqim nga koka që nëse nuk zgjedhet Osmani, shkojmë në zgjedhje, nuk ka asnjë arsye, sepse janë partitë politike opozitare të cilat mund të bëjnë një marrëveshje me Kurtin që psh. po e supozoj është një figurië nga radhët e VV-së nga bota akademike që mund të jetë i pranueshëm edhe për opozitën dhe të vazhdohet”, ka thënë Ukshini.
Presidenti i ri, duhet të zgjidhet më së largu deri më 5 mars, nëse kjo nuk ndodh, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave, në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve me numrin më të lartë të votave dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet President.
The post Kush do të jetë president i ri, Vjosa Osmani apo dikush tjetër? appeared first on GazetaBlic.



Të tjera
IKSHPK: Në Kosovë dominon gripi A/H3N2
Votimi i rezolutës riafirmoi qëndrimin tonë për drejtësi të paanshme, transparencë dhe respektim të dinjitetit të luf*tës sonë çlirimtare
Hargreaves: Britania e Madhe kërkon llogaridhënie të autorëve për sulmin në Banjskë, ata duhet të përgjigjen para drejtësisë