Presidenti Donald Trump do të shpallë një plan rindërtimi prej disa miliardë dollarësh për Gazën dhe do të detajojë planet për një forcë stabilizimi të autorizuar nga OKB-ja për enklavën palestineze në takimin e parë zyrtar të Bordit të tij të Paqes javën e ardhshme, thanë të enjten dy zyrtarë të lartë amerikanë.
Delegacione nga të paktën 20 vende, përfshirë shumë krerë shtetesh, pritet të marrin pjesë në takimin në Uashington, D.C., të cilin Trump do ta kryesojë më 19 shkurt, thanë zyrtarët për Reuters në kushte anonimiteti, transmeton Gazeta Express.
Detajet mbi planet e Trump për takimin e parë të Bordit të tij të Paqes për Gazën nuk janë raportuar më parë.
Trump nënshkroi dokumente në Davos, Zvicër, më 23 janar duke themeluar Bordin e Paqes. Krijimi i bordit u miratua nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si pjesë e planit të Trump për Gazën. Ndërsa fuqitë rajonale të Lindjes së Mesme, përfshirë Turqinë, Egjiptin, Arabinë Saudite dhe Katarin, si dhe vendet e mëdha në zhvillim si Indonezia, i janë bashkuar bordit, fuqitë globale dhe aleatët tradicionalë perëndimorë të SHBA-së kanë qenë më të kujdesshëm.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të mërkurën gjatë vizitës së tij në Uashington se Izraeli i është bashkuar bordit.
Trump ka ngjallë shqetësime se Bordi i Paqes mund të përpiqet të zgjidhë konflikte të tjera në të gjithë botën dhe të konkurrojë me Kombet e Bashkuara. Zyrtarët amerikanë thanë se takimi javën e ardhshme do të përqendrohet vetëm në Gaza.
Ata thanë se një pjesë qendrore e takimit do të jetë njoftimi i Trump për një fond shumëmiliardë dollarësh për Gazën, i cili do të përfshijë kontribute monetare nga anëtarët pjesëmarrës të bordit.
Një zyrtar i quajti ofertat “bujare” dhe tha se Shtetet e Bashkuara nuk kishin bërë ndonjë kërkesë të qartë për donacione.
“Njerëzit kanë ardhur tek ne duke ofruar,” tha zyrtari. “Presidenti do të bëjë njoftime në lidhje me paratë e mbledhura”.
Forca e Stabilizimit
Vendosja e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit është një pjesë kyçe e fazës tjetër të planit të Trump për Gazën, të njoftuar në shtator. Sipas fazës së parë, një armëpushim i brishtë në luftën dyvjeçare filloi më 10 tetor dhe Hamasi ka liruar pengjet, ndërsa Izraeli ka liruar palestinezët e ndaluar.
Zyrtarët thanë se Trump do të njoftojë se disa vende planifikojnë të ofrojnë disa mijëra trupa për forcën stabilizuese që pritet të vendoset në Gaza në muajt në vijim.
Një shqetësim kryesor për momentin është çarmatosja e luftëtarëve të Hamasit që kanë hezituar të dorëzojnë armët e tyre. Sipas planit të Trump për Gazën, anëtarët e Hamasit që angazhohen për bashkëjetesë paqësore dhe për çmontimin e armëve të tyre do të amnistohen. Anëtarëve të Hamasit që dëshirojnë të largohen nga Gaza do t’u ofrohet kalim i sigurt për në vendet pritëse, sipas planit.
Mbledhjet e Bordit të Paqes do të përfshijnë gjithashtu raporte të hollësishme mbi punën e Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës, i cili u krijua për të marrë përsipër administrimin e përditshëm civil të Rripit të Gazës nga Hamasi. Komiteti njoftoi anëtarët e tij dhe mbajti takimin e tij të parë në janar.
Përditësime të tjera do të mbulojnë ndihmën humanitare për Gazën, si dhe policinë e Gazës, thanë zyrtarët.



Të tjera
“Djali im quhet Kastriot”, deputeti kanadez uron 18 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
9 arsye “shkencore” pse njerëzit largohen nga ti
NATO mbështet bashkëpunimin ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë