Edi Rama drejt SHBA, do të marrë pjesë në themelimin zyrtar të Bordit të Paqes

Edi Rama drejt SHBA, do të marrë pjesë në themelimin zyrtar të Bordit të Paqes

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është nisur sot drejt Uashingtonit, në përgjigje të ftesës së presidentit të SHBA-së, Donald J. Trump për të marrë pjesë në themelimin zyrtar të Bordit të Paqes dhe për fillimin e aktivitetit të këtij Bordi, ku Shqipëria ka privilegjin të jetë shtet themelues, njoftoi Agjencia për Media dhe Informim.

Pak ditë më parë, kur njoftoi pjesëmarrjen në këtë ngjarje, kryeministri Rama u shpreh se, “Shqipëria nuk do të kontribuojë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme, por kontribuon me dinjitetin dhe me atë që e ka bërë të respektohet ndërkombëtarisht dhe të ftohet, deri në këtë nivel kaq të lartë të diskutimit mbi të ardhmen e paqes”.

Bordi i Paqes i iniciuar nga presidenti i SHBA-së Trump synon forcimin e Paqes në Lindjen e Mesme dhe, njëkohësisht, të ndërmarrjes së një qasjeje të re të guximshme për zgjidhjen e konflikteve globale.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, ka udhëtuar për në Uashington, për të marrë pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes, aty ku do të jenë edhe shumë liderë të tjerë botërorë.

Bordi i Paqes është themeluar më 22 janar në Davos të Zvicës dhe i ka 27 anëtarë.

Themelimi i Bordit është paraparë në planin 20-pikësh të presidentit Trump për paqe në Gazë, që është pranuar nga Izraeli dhe Hamasi, organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera, në tetor të vitit 2025.