Shkruan: Prof. Dr. Metin Izeti
Në heshtjen që i paraprin perëndimit, kur dielli e lëshon fronin e tij me dinjitetin e një të munduri që në fakt ka fituar betejën e dritës, koha nuk rrjedh më si zall i lumit, por pikëllon si rrëshirë pishe. Secila sekondë bëhet një qelq i hollë që mban në shpinë peshën e tërë ditës. Dhe pastaj, ai çast. Ai çast i pap;rshkruar, kur syri sheh atë që shpirti e pret prej aq orësh – hijen e hënës së re, lajmin e lirisë nga pranga e dëshirës. Iftari është një puhize e ëmbël, një kryengritje e shpirtit kundur nefsit, e cila kurorëzohet me dorëzimin e parë. Uji i parë nuk shuan etjen, por ringjall kujtimet e një përroi që nuk e kemi parë kurrë, por që rrjedh nën lëkurën tonë prej kohësh. Hurma e parë nuk është frut, por një copë dielli i marrë peng gjatë ditës, që tani kthehet në shtëpi. Në atë gllënjkë, njeriu bashkohet me tokën, qiellin dhe me veten – atë veten që gjatë ditës e kishte harruar nën zhurmën e mendimeve.
Por nëse iftari është kuvend i gëzimit, një dasmë ku trupi pajtohet me shpirtin, syfyri është rrëfimi i fundit i natës, përpara se agimi të vijë me fshesën e tij për të fshirë ëndrrat. Ora e syfyrit është si ajo pikë ku qielli dhe toka puthen, por ende nuk kanë vendosur se kush do të mbizotërojë. Është një kohë që nuk i përket askujt. Në këtë orë, zërat nuk dëgjohen dot me vesh, por me lëkurë. Pëshpëritja e lodhjes së natës përzihet me kërcitjen e dritës së parë që përpiqet të lindë. Çdo kafshatë që hahet në këtë orë ka shijen e një nate që po vdes dhe të një dite që po lind. Është bukë e njomur me vesë dhe me lotët e yjeve që ikin. Në këtë vakt, njeriu nuk ha për t’u ngopur, por për t’i lënë vetes një mesazh për ditën që vjen: “Mbaj mend se je njeri”.
Aty, në atë errësirë që zbehet, filozofia e agjërimit zbulohet në gjithë lakuriqësinë e saj. Nuk është uria ajo që na mëson, por zbrazëtia. Në iftar, ne mbushim barkun për të harruar zbrazëtinë; në syfyr, ne mbushim shpirtin për të përballuar zbrazëtinë që do vijë. Është një vallëzim i përjetshëm midis “të qenit” dhe “të mos qenit”. Uji që pimë në iftar është metaforë e jetës që na shpëton çdo ditë nga vdekja e vogël e agjërimit; ndërsa uji i syfyrit është uji i pagëzimit të një dite të re, një amulli para stuhisë së ekzistencës.
Këto dy vakte janë dy shtyllat e portës përmes së cilës kalon koha e shenjtë. Në iftar, ne përjetojmë ardhjen në vete pas një mërgimi të gjatë. Në syfyr, ne përjetojmë mërgimin përpara se të vijë. Njëri është kremtimi i kthimit, tjetri është pikëllimi i nisjes. Dhe mes tyre, nata shtrihet si një det i zi ku noton vetmia jonë, e mbushur me yje që janë fjalët e lutjeve të pathëna.
Iftari dhe syfyri na mësojnë se çdo fillim fsheh një mbarim dhe çdo mbarim fsheh një fillim të ri. Ata janë dy frymëmarrjet e një nate të gjatë që na kujton se jemi vetëm udhëtarë. Udhëtarë që ndalemi për të ngrënë bukë në dy stacionet e vetme të rrugës sonë të përjetshme: njëri në perëndim, kur dita vdes, dhe tjetri në lindje, kur nata vdes. Dhe ne, të vetmit dëshmitarë të këtyre dy vdekjeve, jetojmë.



Të tjera
Mbajeni trurin më të ri duke dëgjuar muzikë
Nuk ka vendim për reduktimin e trupave amerikane nga Kosova
Nuk kam njohuri për asnjë kr*im të kryer nga Thaçi