Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq gjatë prezantimit të Strategjisë “Serbia 2030”, e ku ka thënë se Kosova është pjesë e Serbisë, dhe se “aktualisht në Kosovë nuk ka partner për të folur”, përcjell KosovaPost.
Maqedonci përmes një postimi në Facebook, ka thënë se këto deklarata janë vazhdim i një narrative politike që mohon realitetin dhe synon të mbajë nën tension të gjithë regjionin.
“Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, me institucione legjitime të dala nga vullneti demokratik i qytetarëve të saj. Ky realitet është i pakthyeshëm dhe nuk mund të ndryshohet përmes deklaratave politike apo strategjive të brendshme të Serbisë”, ka thënë Maqedonci.
Për deklaratat e tjera të Vuçiqit ku ka paralajmëruar rritje të konsiderueshme të shpenzimeve ushtarake, investime shumë miliardëshe në armatim, zhvillim i industrisë së dronëve dhe krijimi i një ushtrie të avancuar digjitale, ai ka thënë se dëshmojnë për një proces të vazhdueshëm të militarizimit të Serbisë.
“Kur këto zhvillime shoqërohen me pretendime të drejpërdrejta territoriale ndaj Kosovës dhe me retorikë që mohon shtetësinë tonë si dhe me projektin hegjemonist “Bota Serbe”, ato krijojnë shqetësime reale për sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Kjo është veçanërisht problematike duke pasur parasysh edhe veprimet destabilizuese që kemi parë në vitet e fundit, përfshirë mbështetjen dhe organizimin e strukturave terroriste e paramilitare që kanë kryer akte të dhunshme në territorin e Republikës së Kosovës, siç ishte sulmi agresor dhe terrorist në Banjskë. Këto zhvillime tregojnë qartë se qasja hegjemoniste e qarqeve politike në Serbi shpesh përkthehet me veprime konkrete që rrezikojnë sigurinë rajonale”, ka thënë Maqedonci.
Për “ankesën” e Vuçiqit se nuk ka partner për të folur, ai ka thënë se nëse nuk ka me kë të flas në këtë “qeveri demokratike dhe legjitimitet të fuqishëm qytetar”, kë dhe çfarë pret ai në të ardhmen.
“A pret një qeveri në Kosovë që do të ishte më e gatshme të pranojë pretendimet e Serbisë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë? A po ndoshta një qeveri që pranon ndarjen e territorit? Republika e Kosovës është shtet sovran, qytetarët e Kosovës kanë refuzuar një herë e përgjithmonë projektet sabotuese dhe shantazhuese ndaj sovranitetit te vendit dhe ato nuk do te kthehen kurrë më. Republika e Kosovës është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon dhe për dialog të sinqertë për njohje të ndërsjelltë ndërmjet dy shteteve sovrane. Siguria dhe sovraniteti i vendit tonë janë të panegociueshme”, ka shkruar Maqedonci.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës do të vazhdoj të forcoj kapacitetet mbrojtëse, të zhvilloj FSK-së sipas standardeve më të larta profesionale dhe të thellojë bashkëpunimin strategjik me partnerët euro-atlantikë.
“Stabiliteti i qëndrueshëm në rajon mund të ndërtohet vetëm mbi respektin për sovranitetin e shteteve, përgjegjësinë politike dhe pranimin e realitetit që Kosova është shtet i lirë, i pavarur, sovran”, ka përfunduar Maqedonci.



Të tjera
Pagjumësia shtyn njerëzit drejt ushqimeve jo të shëndetshme
Fëmijët duhet të peshohen gjatë shkollimit, për të parandaluar obezitetin
Çfarë duhet të bëni nëse i dashuri e harron ditëlindjen tuaj?