Ministri Nenad Rashiq ka folur së fundmi për mediumin lokal serb, Radio Gorazhdevci, duke komentuar marrëdhëniet e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, përcjell KosovaPost.
Rashiq tha se gjatë kohës ka pasur kundërshtime me kryeministrin, por ka theksuar se Kurti ka vepruar sipas ligjit dhe për arsyet që lidhen me procesin e integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare.
Ai ka përmendur veçanërisht rastin e Manastirit të Deçanit si pjesë të zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016.
Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Arlind Maxhuka, ka reaguar lidhur me këto komente, duke sqaruar se vendimi për zbatimin e aktgjykimit ishte pjesë e kërkesave të Këshillit të Evropës gjatë procesit të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë në vitin 2024.
“Zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është bërë vetëm në kuadër të anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe për asgjë tjetër”, ka theksuar Maxhuka.
Ai ka shtuar se në prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me një votim të fuqishëm prej 82% rekomandoi Komitetin e Ministrave të ftojë Kosovën të bëhet anëtare e plotë e organizatës, duke konfirmuar se të gjitha parakushtet për anëtarësim ishin plotësuar.
“Raportuesja e Këshillit të Evropës, Dora Bakoyannis, në mars 2024 shpërndau raportin e saj ku vlerësonte se Kosova kishte zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe nuk kishte nevojë për parakushte të tjera”.
Por sipas Qeverisë, kërkesa e ministrit Rashiq për vizitën e Patriarkut Porfirije gjatë Krishtlindjeve ortodokse të vitit 2023 ka ndikuar në keqkuptimin rreth zbatimit të vendimit, duke nënvizuar se çdo veprim ka qenë pjesë e procedurave diplomatike dhe nuk lidhet me vendime të pavarura për pronën e Manastirit.
Qeveria e Kosovës ka insistuar që që nga fillimi i mandatit të saj në mars 2021, çdo veprim i marrë ka qenë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me udhëzimet e Këshillit të Evropës, duke e lidhur zbatimin e aktgjykimeve me anëtarësimin e vendit në institucionet ndërkombëtare dhe jo për arsye të tjera politike.



Të tjera
Po bie shi i përzier me naftë në Iran
Diskutuam pasivizimin e adresave të shqiptarëve
Ky është vendimi i plotë i Kushtetueses lidhur me dekretin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit