Haxhiu: Të drejtat e grave – standard i shoqërisë për demokracinë

Të drejtat e grave – standard i shoqërisë për demokracinë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu tha se të drejtat e grave janë standardi dhe pasqyra e një shoqërie për lirinë dhe demokracinë e vendit.

“Të drejtat e grave nuk janë vetëm çështje e grave, por standard për mënyrën se si një shoqërinë e kupton lirinë por edhe demokracinë e saj. Mënyra se si një vend i trajton gratë dhe vajzate saj është pasqyra më e ndershme e atij vendi”, tha ajo, në shënimin e Ditës së Gruas nga Agjencia për Barazi Gjinore me temë “Të drejta, drejtësi, veprim”.

Ajo tha se pavarësisht përparimit ligjor në mbrojtje të të drejtave të grave në vend, ka shumë gra të cilat përballen me dhunë në familje, pabarazi ekonomike dhe barriera në vendimmarrje e në tregun e punës.

“Si kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës zotohem se do t’i fuqizojmë mekanizmat e mbikëqyrjes parlamentare dhe do t’ua kujtojmë institucioneve përkatëse përgjegjësinë që kanë në zbatimin e ligjeve, sepse në fund të fundit qëllimi i gjithë këtij angazhimi është që progresi për të cilin flasim të bëhet i dukshëm, i prekshëm për vajzat dhe gratë e këtij vendi. Shpesh e kam menduar edhe në të kaluarën, gjatë kohës sa kam qenë Ministre e Drejtësisë, por edhe sot si Kryetare e Kuvendit, se si duket në praktikë progresi për të cilin flasim apo flasim kaq shpesh. Ligjet, po, janë të rëndësishme. Politikat janë të domosdoshme. Por ndryshimi duhet të ndihet në jetën e përditshme. Ndonjëherë ky ndryshim shfaqet në mënyrë shumë konkrete për shembull siç e kemi parë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, ku pjesa më e madhe e deputeteve gra janë zgjedhur pa u mbështetur në kuotën gjinore”, tha ajo.

Ajo ka thënë se çdo e drejtë e gruas që sot duket e natyrshme ka ardhur si pasojë e një rezistence të gjatë të paraardhëseve të grave, të cilat kanë ngritur zërin e tyre për t’i kërkuar ato.

“Historia e grave shqiptare është edhe histori e përpjekjeve për emancipim dhe arsimim”, tha ajo për t’i përmendur dhjetëra gra, kontributi i së cilave u shtri në çlirim vendi, luftim analfabetizmi, arsimim brezash e mbijetesë në periudhën e pas luftës.