Në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin e Komitetit Politik Evropian (EPC), Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim bilateral me Kryeministrin e Dukatit të Madh të Luksemburgut, Luc Frieden.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Luksemburgut ndaj Kosovës, duke veçuar kontributin e çmuar në sektorin e shëndetësisë dhe fusha të tjera kyçe të zhvillimit.
Në këtë drejtim, ai falënderoi veçanërisht për mbështetjen e fundit prej 50 milionë eurosh, i cili dëshmon përkushtimin e Luksemburgut ndaj forcimit të kapaciteteve institucionale dhe mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.
“Bashkëbisedimi u përqendrua gjithashtu në zhvillimet aktuale politike dhe prioritetet strategjike të Kosovës në raport me integrimin evropian. Kryeministri në detyrë Kurti theksoi rëndësinë e avancimit të mëtejmë në këtë proces, përfshirë kërkesën e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe progresin drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftim.
Në përmbyllje, kryeministri në detyrë Kurti falënderoi homologun e tij për përkrahjen e vazhdueshme të Luksemburgut ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke riafirmuar gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe koordinimin në forume shumëpalëshe me interes të përbashkët.



Të tjera
Basha paralajmëron masa ligjore ndaj operatorëve që po vonojnë punimet në rrugën Prishtinë–Podujevë
Haxhiu pret në takim lamtumirës ambasadorin e Zvicrës, e falënderon për bashkëpunimin
Sekreti i një gjumi ideal