Nga Tel Avivi në Beograd dhe më pas përsëri në Tel Aviv.
Ky ishte itinerari i një avioni izraelit të transportit më 5 mars, konstatoi Radio Evropa e Lirë përmes një analize të faqeve të specializuara për ndjekjen e fluturimeve.
Avioni ishte i destinuar për transportimin e ngarkesave të rënda dhe të rrezikshme, siç janë armët.
Megjithatë, nuk është e qartë se çfarë ka transportuar, pasi institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë sqarime.
Kjo nuk është hera e vetme që një avion transporti i kompanisë private izraelite “Challenge Airlines IL” ka ateruar në Beograd gjatë muajit të fundit.
REL-i ka zbuluar se gjatë shkurtit dhe në fillim të marsit, dy avionë transporti të kësaj kompanie kanë kryer së paku nëntë fluturime mes Serbisë dhe Izraelit, në të dyja drejtimet.
Dy prej këtyre fluturimeve u regjistruan pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit.
Radio Evropa e Lirë pyeti ministritë serbe të Mbrojtjes, Punëve të Jashtme dhe Tregtisë për këto fluturime dhe për atë se çfarë është transportuar me to, por nuk mori përgjigje.
Përgjigje nuk ktheu as kompania izraelite që është pronare e avionëve transportues.
Serbia pezulloi eksportin e armëve në fund të qershorit të vitit të kaluar, pas një udhëzimi të presidentit Aleksandar Vuçiq.
Kjo ndodhi në kulmin e konfliktit izraelito-iranian dhe mes akuzave nga Moska se Serbia, përmes ndërmjetësve, po eksportonte municion drejt Ukrainës.
Por, sipas informacioneve të konfirmuara për Radion Evropa e Lirë nga dy fabrika shtetërore të armëve, eksporti i armëve jashtë Serbisë ka rifilluar sërish në shkurt.
Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të REL-it, institucionet shtetërore në Serbi nuk kanë zbuluar se çfarë eksportojnë, kujt dhe në çfarë kushtesh.
Sipas Zyrës së Statistikave të Republikës së Serbisë, në vitin 2025, Serbia eksportoi armë dhe municione me vlerë rreth 50 milionë dollarë.
Kjo është gjysma e shumës së regjistruar në vitin 2024, kur eksportet, sipas të dhënave të njëjta, tejkaluan 104 milionë dollarë.
Megjithatë, këto nuk janë shuma përfundimtare, pasi të dhënat e sakta nuk janë të disponueshme publikisht.
Serbia, prej vitesh tashmë, nuk publikon se çfarë armësh dhe pajisjesh ushtarake eksporton, kujt dhe në çfarë sasie.
Çfarë thonë në Aeroportin e Beogradit?
Aeroporti “Nikolla Teslla” i Beogradit nuk jep detaje për atë që është transportuar nga aeroplanët e mallrave që fluturuan nga Beogradi në Tel Aviv dhe anasjelltas, në shkurt dhe në mars.
Në përgjigjen dhënë Radios Evropa e Lirë thuhet se aeroporti u lejon linjave ajrore të përdorin infrastrukturën e tij “në përputhje me rregulloret ndërkombëtare dhe kombëtare që rregullojnë transportin e pasagjerëve dhe llojeve të ndryshme të ngarkesave në trafikun ajror”.
Nuk është e qartë se kush e ka angazhuar linjën ajrore private izraelite, pasi ministritë përkatëse nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë.
“Challenge Airlines” e Izraelit e përshkruan veten si linjë ajrore e specializuar në transportin e “ngarkesave jostandarde”.
Sipas të dhënave nga ueb-faqja e saj, ajo zotëron tre aeroplanë Boeing të destinuar për trafik mallrash.
Viti e kaluar, Azerbajxhani shfaqi obusët vetëlëvizës “Nora”, ndërsa Qiproja shfaqi raketahedhësit “Tamnava”.
“Të dyja sistemet u shfaqën për herë të parë në gjysmën e dytë të vitit 2025 dhe është shumë e mundur që ato të jenë eksportuar pas shpalljes së ‘moratoriumit’”, thotë për Radion Evropa e Lirë Katarina Gjokiq nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI).
Serbia është e detyruar të raportojë eksportin e armëve të rënda dhe të lehta, në përputhje me konventat ndërkombëtare. Këto raporte ndërkombëtare publikohen në mes të vitit, për vitin paraprak.
“Por, pjesa më e madhe e eksporteve nuk është e dukshme atje, sepse sasi të mëdha municionesh (të cilat nuk u nënshtrohen këtyre deklarimeve) po nxirren nga Serbia. Vlera dhe vëllimi i eksporteve të municioneve nuk mund të shihen nga këto deklarime”, thotë Radiq.
Sipas ligjit, lejet për eksportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake lëshohen nga Ministria e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme e Serbisë.
Ato kërkojnë pëlqimin e ministrive të Punëve të Jashtme, të Brendshme, të Mbrojtjes dhe të Agjencisë së Sigurisë dhe Inteligjencës.
Gjithashtu kërkohet edhe një certifikatë e Përdoruesit Fundor, e vërtetuar nga një organ zyrtar i vendit të këtij përdoruesi.
Gjatë lëshimit të një leje tregohet kujdes që eksporti të mos shkelë sanksionet ndërkombëtare, të mos kërcënojë respektimin e të drejtave të njeriut në vendin e destinacionit përfundimtar dhe të mos mundësojë shpërthimin ose vazhdimin e konflikteve të armatosura dhe të tjera në vendin e përdorimit përfundimtar.



Të tjera
11 shenja të personave vërtet origjinalë
10 burimet kryesore të stresit te fëmijët
Mjekët rekomandojnë ecjen në mal – tregojnë të mirat