Sigurimi fizik i UP paralajmëron greva pas mos rritjes së pagave deri 2027

Sigurimi fizik i UP paralajmëron greva pas mos rritjes së pagave deri 2027

Sigurimi fizik dhe teknik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” do të hyjë në grevë dhe do të protestojë, pas pamundësisë për arritjen e një marrëveshjeje të përbashkët.

Dje, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Shërbimeve Publike dhe Teknike, Jusuf Azemi, dhe Rektorati i UP-së mbajtën një takim për rritjen e pagave për këtë kategori, por pa sukses.

“Pas takimit të djeshëm të kryesisë së Sindikatës me Rektorin e Universitetit të Prishtinës, ku Rektori i UP-së u deklarua se pagat e punëtorëve teknik dhe ato të sigurimit fizik nuk do të ndryshojnë deri në gusht të vitit 2027, kryetari i Shoqatës së Punëtorëve të Sigurimit Fizik në UP, Arsim Xhinovci, njofton Federatën Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës se do të fillojnë protesta dhe greva të menjëhershme”, thuhet në komunikatën e dërguar nga sindikata.

Sindikata paralajmëron se në rast se rritja e pagës nuk do të ndodhë, “punëtorët deklarohen se në mënyrë kolektive do të largohen nga shërbimi i sigurimit të Universitetit të Prishtinës, pasi që pagat e tyre janë qesharake”.