Kosova pritet të ruajë pozicionin si një nga ekonomitë më stabile në Ballkanin Perëndimor në vitet e ardhshme, me një rritje të qëndrueshme ekonomike që tejkalon mesataren rajonale, sipas një raporti ekonomik.
Sipas parashikimeve, ekonomia e Kosovës do të rritet me 3.6% në vitin 2025, 3.7% në 2026, 3.9% në 2027 dhe 4.0% në 2028. Rritja ekonomike mbështetet kryesisht nga konsumi i brendshëm dhe aktiviteti i qëndrueshëm ekonomik, megjithatë vendi mbetet i ndjeshëm ndaj pasigurive globale dhe varësisë nga tregjet e Bashkimit Evropian.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria parashikohet të ketë rritje prej 3.4% në 2026 dhe 3.7% në 2027. Bosnja dhe Hercegovina pritet të rritet me 2.5% në 2026 dhe 3.0% në 2027, ndërsa Maqedonia e Veriut me 2.9% dhe 3.1%. Mali i Zi parashikohet të ketë rritje prej 2.9% në 2026 dhe 3.0% në 2027, ndërsa Serbia 2.7% në 2026 dhe 3.0% në 2027, pas një ngadalësimi të dukshëm në vitin 2025.
Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor pritet të mbetet e moderuar gjatë viteve 2026 dhe 2027, e ndikuar nga pasiguritë globale, tensionet gjeopolitike, inflacioni i vazhdueshëm dhe efektet e konflikteve ndërkombëtare, thuhet në Raportin e Rregullt Ekonomik të Bankës Botërore për rajonin.
“Pasiguria globale dhe tensionet gjeopolitike po frenojnë rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor, ndërsa inflacioni po ndikon drejtpërdrejt në buxhetet e familjeve,” deklaroi Xiaoqing Yu, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, duke shtuar se rritja afatgjatë varet nga zgjerimi i punësimit dhe përfshirja më e madhe në tregun e punës.
Një tjetër sfidë e theksuar është plakja e popullsisë, ku parashikohet që brenda dekadës së ardhshme një në pesë banorë të rajonit të jetë mbi 65 vjeç, ndërsa emigrimi i fuqisë punëtore vazhdon të ndikojë negativisht në tregjet e punës.
Banka Botërore rekomandon reforma në sistemin e taksave dhe përfitimeve sociale, zgjerim të shërbimeve të kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit, përmirësim të trajnimeve profesionale dhe krijim të kushteve më fleksibile të punës, përfshirë ekonominë digjitale, si hapa kyç për rritje më të qëndrueshme ekonomike në rajon.



Të tjera
PSG – Bayern hyn në histori: gjysmëfinalja me më shumë gola në Champions
Maskë me portokalle dhe limon për flokë të yndyrshëm
30 milionë, Nkunku shitet nga Milani me urgjencë