Interesim jo të vogël kishte për të blerë këtë fundjavë në tregun e gjelbër në kryeqytet. Qytetarët e ngritën shqetësimin e tyre për çmimin e produkteve, pikërisht në Ditën Botërore të Konsumatorit.
Sipas tyre këto çmime janë të paqëndrueshme dhe vështirë të përballueshme për shpenzimet ditore.
E çmimet tregtarët i arsyetojnë duke thënë se ato që importohen janë më të shtrenjta krahasuar me ato vendore, e këto të fundit janë me pakicë.
Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, tha se niveli i informimit dhe vetëdijesimit të konsumatorëve në vend varet edhe nga përmbushja e obligimeve që kanë institucionet ndaj tyre. Ai kërkoi nga Qeveria të ketë një ministri të mbrojtjes së konsumatorit.
“Elementi kryesor socio-ekonomik është konsumi, nevoja, kërkesa, është konsumatori. Qeveria duhet të na njohë si të tillë, dhe si të tillë edhe Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit duhet ta avancojë në drejtori dhe të jemi të barabartë me Drejtorinë e Tregtisë, Drejtorinë e Industrisë dhe Drejtorinë e Inovacionit”, tha Kaçaniku.
Sipas të dhënave zyrtare, në disa muaj të vitit 2025 inflacioni vjetor në Kosovë ka qenë rreth 4–5 për qind. Në tetor 2025 çmimet e konsumit ishin mesatarisht 5.1 për qind më të larta se në tetor 2024, ndërsa në nëntor 2025 rritja mesatare ishte rreth 5.3 për qind krahasuar me një vit më parë.
Produktet që u shtrenjtuan më së shumti gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës janë energjia elektrike, deri rreth 15–20 për qind në disa periudha, frutat mbi 15–16 për qind, kafe, çaj dhe kakao rreth 13–17 për qind, mishi rreth 12–13 për qind si dhe qumështi, djathi dhe vezët mbi 7–10 për qind.
Ndërsa, në shkurt 2026 inflacioni vjetor arriti rreth 6 për qind, rritja mujore ishte rreth 0.6 për qind, duke shënuar nivelin më të lartë të rritjes së çmimeve që nga viti 2023./rtk



Të tjera
Mos e krahasoni fëmijën tuaj me të tjerët, ia ulni vetëbesimin!
Përplasje mes presidentëve Milanoviq e Vuçiq, pas blerjes së r@ketave CM400
Starmer dhe Trump zhvillojnë bisedë telefonike, flasin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit