Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, deklaroi se muslimanët në mbarë botën vazhdojnë të përballen me diskriminim dhe përjashtim, duke u bërë thirrje qeverive dhe shoqërive të ndërmarrin veprime më të forta për të luftuar islamofobinë.
Në një video mesazh të publikuar në rrjetin social X me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Luftimin e Islamofobisë, Guterres tha se rreth dy miliardë muslimanë në botë vijnë nga kultura dhe rajone të ndryshme, por shpesh përballen me diskriminim institucional dhe barriera shoqërore.
Ai theksoi se muslimanët shpesh përballen me përjashtim socio-ekonomik, politika të paragjykuara të emigracionit, si dhe mbikëqyrje dhe profilizim të pajustifikuar, duke paralajmëruar se këto prirje ushqehen nga retorika dhe gjuha e urrejtjes kundër myslimanëve.
Guterres u bëri thirrje qeverive të ndërmarrin hapa konkretë për të luftuar gjuhën e urrejtjes, për të mbrojtur lirinë fetare dhe për të respektuar ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Ai gjithashtu kërkoi që platformat online të eliminojnë ngacmimet dhe gjuhën e urrejtjes ndaj njerëzve për shkak të fesë ose bindjeve të tyre.
Duke kujtuar sulmin terrorist të 15 marsit 2019 në dy xhami në Christchurch të Zelandës së Re – Xhamia Al-Nur dhe Qendra Islame Linvud – ku u vranë 51 persona dhe u plagosën 40 të tjerë, ai theksoi nevojën për veprim global kundër islamofobisë.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2022 miratoi një rezolutë që shpall 15 marsin si Ditën Ndërkombëtare për Luftimin e Islamofobisë. /mesazhi



Të tjera
Sallahu emërohet si Këshilltar Ligjor në Zyrën e Kryeministrit Kurti
Gjykata në Prishtinë cakton seancat për rastin kundër Grujica Veljoviq, gjykimi zhvillohet në mungesë
Parandaloni djersitjen e tepërt