Kush janë “të fortit” e Prizrenit në kërkim për fajde?

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda e Policisë së Kosovës, pas zhvillimit të veprimeve intensive hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, sot më datë 16.03.2026 ka realizuar një operacion policor të fokusuar në arrestimin e personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale të lidhura me fajden.

Operacioni është zhvilluar në kuadër të hetimeve ndaj pesë personave të dyshuaj nga familja Kuzhnini dhe Rezhani.

Burime të indeksonline bëjnë të ditur se të dyshuar për fajde dhe në kërkim janë Gjin Kuzhnini, Bruno Kuzhnini, Elson Kuzhnini dhe Egzon Reshani.

Sipas dyshimeve të deritanishme, të dyshuarit në mënyrë të vazhdueshme kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme parash si interes për fajde, duke përdorur forma të ndryshme të presionit dhe dhunës. Po ashtu, ata dyshohet se në raste të caktuara e kanë privuar viktimën edhe nga liria, me qëllim që ta detyrojnë të paguajë kamata të larta të fajdesë.

Me urdhëresë të gjykatës janë realizuar kontrolle në pesë lokacione në qytetin e Prizrenit, ku është arrestuar një person i dyshuar, ndërsa katër persona të tjerë ndodhen në kërkim policor.

Me vendim të prokurorit të shtetit nga Prokuroria Themelore në Prizren, ndaj personit të arrestuar është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.