Sulmuesi i kombëtares së Italisë, Mateo Retegui, është rikthyer në Firencë dhe raportohet se po stërvitet individualisht një javë më herët, në prag të ndeshjeve “play-off” për Kupën e Botës 2026 në fund të muajit.
Retegui aktualisht luan për Al-Qadsiah, që renditet në vendin e katërt në Saudi Pro League.
Sulmuesi i lindur në Argjentinë ka realizuar 15 gola në 25 ndeshje këtë sezon.
Për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, nuk do të ketë ndeshje të kampionatit këtë fundjavë, çka i ka dhënë Reteguit një javë shtesë pushimi krahasuar me bashkëlojtarët e tij tek Italia, përpara “play-offit” që nis më 26 mars.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, ai tashmë ka mbërritur në Firencë, ku ndodhet baza stërvitore e kombëtares në Coverciano.
Retegui ka marrë me qira një apartament pranë dhe pritet të stërvitet çdo ditë individualisht deri sa pjesa tjetër e skuadrës t’i bashkohet pas ndeshjeve të fundjavës.
Raportohet se lojtari ishte i shqetësuar për pauzën e gjatë pa ndeshje dhe, pas kontakteve me Federatën e Futbollit Italian (FIGC) dhe trajnerin Gennaro Gattuso, vendosi të rikthehej më herët në Itali.
Retegui është një nga disa sulmuesit që pritet të grumbullohen për ndeshjet vendimtare ndaj Irlandës Veriore dhe njërës mes Uellsit ose Bosnjës dhe Hercegovinës.
Në listën e Gattusos pritet të jenë edhe Moise Kean (Fiorentina), Pio Esposito (Inter) dhe Giacomo Raspadori (Atalanta).
Retegui është golashënuesi kryesor i Italisë që kur Gattuso mori drejtimin pas largimit të Luciano Spallettit verën e kaluar.
Kombëtarja ka shënuar 19 gola në 6 ndeshje: Retegui ka 5, Kean 4, Esposito 3, ndërsa Raspadori dhe Gianluca Mancini kanë nga 2 gola secili.
Nga një gol kanë realizuar Matteo Politano, Sandro Tonali dhe Alessandro Bastoni.



Të tjera
Si e ndryshon vetmia trupin dhe mendjen tonë
Kërkohet paraburgim ndaj të pandehurit për vr@sje të rëndë në Gjakovë
Kosova vazhdon përpara drejt integrimit