Shteti po investon në ju dhe ju duhet me ia kthy me medalje – Ekonomia Online

Shteti po investon në ju dhe ju duhet me ia kthy me medalje

Kryetrajneri i xhudos, Driton Kuka në ceremoninë e vendosjes së gurhtemelit të Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, tha se ky është një investim të cilin sportistët dhe trajnerët e xhudos do t’ia kthejnë shtetit me rezultate dhe medalje, raporton Ekonomia Online.

Kuka është krenuar me punën e sportistëve të xhudos, duke thënë se përmes xhudos vlerat e Kosovës u njohën edhe nga shtet që Kosovën nuk e njohën si shtet.

“Në këto katër-pesë vite prej se ka filluar projekti “Kosova shtet i xhudos” dhe kemi një palestër reprezentative, kemi pasur ndoshta, mos t’ia teproj, por ndoshta 70-80 shtete, dhe shumë shtete që nuk e njohin shtetin tonë, por përmes xhudos ata po njihen me vlerat tona dhe kjo më bën si trajner dhe një ndër ndërtuesit e këtij ekipi. Ia ka lakmi gjithë bota të jetë një pikë në të cilën vijnë, shohin dhe stërviten me kampionet tona. Kjo është një ditë me shi. Edhe kur e kemi ndërtuar këtë palestër ka qenë ditë me shi, por si duket është ditë me bereqet që thonë në popull, dhe kjo palestër që do të ndërtohet do t’iu shërbejë gjeneratave të reja për t’u ngritur, por sidomos trajnerëve të rinj”, tha ai.

Kuka kujtoi momentet se si kishin nisët stërvitjet në një palestër të vogël të ndërtuar nga familja e tij.

“E kemi filluar në një palestër të vogël e ndërtuar prej familjes sonë… ne si komunitet i xhudos gjithmonë kemi parasysh një fakt, që faktikisht gjithmonë ajo që investohet në ne, mundohemi ta kthejmë shumëfish më shumë. Kjo që po investohet për xhudo krijon përgjegjësi, krijon përkushtim më të madh të gjithë sportistëve dhe trajnerëve që po vijnë. Gjatë okupimit për mua personalisht si trajner, ka qenë palestra. Kemi pasur palestrën në një shkollë fillore ku kemi stërvitur të gjitha klubet sportive në qytetin e Pejës dhe faktikisht mua më është dukur hapësirë shumë e vogël koha për të arritur diçka dhe gjithmonë e kam pasur në kokë të kemi një palestër 24 orë në ditë dhe pse ajo palestër ka qenë modeste, por koha ka qenë e artë dhe koha ka qenë ajo që më është dashur mua që të ndërtoj këtë që është sot”, theksoi ai,

Në fjalën e tij ai pati një porosi për sportistët dhe trajnerët e xhudos.

“Kështu që përgjegjësi, përkushtim kërkoj prej krejt këtyre sportistëve dhe trajnerëve të xhudos. Shteti po investon shumë seriozisht në ju dhe ju duhet me ia kthyer me punë, përkushtim, rezultate e medalje”, potencoi Kuka.