Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) ka kërkuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit përparim të qartë në dialogun Kosovë–Serbi, duke nënvizuar se Serbia ka treguar pak interes për një përfundim të suksesshëm dhe se çdo progres i vërtetë do të kërkojë një proces të udhëhequr nga SHBA.
Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) ka mbajtur një takim pothuajse dy-orësh me tre zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit për të diskutuar çështje shqipëtare dhe interesat amerikane në Ballkan. Në këtë takim ka marrë pjesë zyrtari i DASH, Andrew Caruso, i cili ka marrë portofolin e Kosovës pas largimit të Anne Morrison.
“Ne diskutuam për shqetësimet e përbashkëta të sigurisë, rrugën potenciale të Kosovës drejt NATO-s, përfshirë sfidat që mbeten, si dhe nevojën urgjente për përmirësimin e klimës së investimeve, duke përmendur shqetësimet e kompanive amerikane për pengesat lokale dhe interesin në rritje të SHBA-së për sektorët e energjisë dhe minierave”, thotë Martin Vulaj, president i AARC.
Ai shton se, lidhur me rifillimin e dialogut Kosovë–Serbi, “procesi ka zgjatur mbi 15 vjet me rezultate të kufizuara. Serbia ka treguar pak interes për një përfundim të suksesshëm, dhe qasja burokratike e Evropës deri tani nuk ka sjellë rezultate domethënëse. Çdo progres i vërtetë do të kërkojë një proces të udhëhequr nga SHBA. Njohja reciproke mbetet politikë zyrtare e SHBA-së, por ajo duhet të jetë objektivi kryesor i dialogut.”
Vulaj thekson gjithashtu marrëdhënien e fortë me Shqipërinë dhe progresin e SPAK në luftën kundër krimit të organizuar.
“Ne vlerësuam rolin e Shqipërisë si një aleat i besueshëm i SHBA-së dhe progresin e SPAK në luftën kundër rrjeteve të krimit të organizuar të lidhura me Amerikën e Jugut. Diskutuam gjithashtu rëndësinë e thjeshtimit të legjislacionit për të lehtësuar investimet e huaja”, shkruan Vulaj.
Presidenti i AARC përmend edhe çështjet e studentëve të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut.
“Ne mbështesim të drejtën e diplomantëve shqiptarë të drejtësisë për të marrë provimin e avokatit në gjuhën shqipe”, thekson ai.
Vulaj thekson përkushtimin e AARC-së. “AARC mbetet e përkushtuar për të siguruar që perspektivat shqiptare të jenë qartësisht të përfaqësuara në Uashington dhe që angazhimi i SHBA-së në rajon të vazhdojë të promovojë stabilitet, përgjegjshmëri dhe prosperitet afatgjatë.”



Të tjera
Facebooku nxit zilitë
Këto janë të mirat që vijnë nga xhenxhefili
Lufta në Iran, bie ndjeshëm çmimi i arit