Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, tha se raporti i fundit i Komisionerit të Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Michael O’Flaherty, pas vizitës së tij në Serbi, e konfirmon qartë atë që shqiptarët në Luginën e Preshevës e përjetojnë çdo ditë: përkeqësimin e vazhdueshëm të situatës së të drejtave të njeriut dhe ngushtimin e hapësirës demokratike.
“Shqetësimet e ngritura për lirinë e shprehjes, presionin ndaj shoqërisë civile, gjuhën e urrejtjes dhe trajtimin e atyre që kërkojnë të drejtat e tyre, janë alarm serioz për gjendjen në Serbi. Për ne në Luginën e Preshevës, kjo nuk është vetëm analizë apo raport ndërkombëtar. Ky është realiteti ynë i përditshëm. Pasivizimi i adresave, diskriminimi institucional, mungesa e përfaqësimit dhe presioni i vazhdueshëm ndaj shqiptarëve vazhdojnë të cenojnë të drejtat tona elementare për të jetuar dhe vepruar të lirë”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Si Kryetare e Komunës së Preshevës, ajo rithekson se vëmendja dhe presioni ndërkombëtar janë të domosdoshme, por po aq i rëndësishëm është edhe zëri ynë i përbashkët.
“Ne nuk do të heshtim përballë padrejtësive dhe politikave që synojnë margjinalizimin dhe tjetërsimin e shqiptarëve në Luginë. Presheva meriton dinjitet, trajtim të barabartë dhe respektim të plotë të të drejtave të njeriut, ashtu si çdo qytetar tjetër në Evropë. Do të vazhdojmë të kërkojmë përgjegjësi institucionale dhe të bashkëpunojmë me mekanizmat ndërkombëtarë derisa këto padrejtësi të marrin fund”, tha ajo.
Duke shtuar se ky raport përbën një moment të rëndësishëm ndërkombëtar për kauzën e Luginës së Preshevës. Problemet tona nuk janë më vetëm paralajmërime politike apo zëra të izoluar — ato tashmë janë evidentuar dhe pranuar edhe nga institucione evropiane me kredibilitet të lartë.
“Ne do të vazhdojmë punën me përkushtim, përmes dialogut, dokumentimit dhe përfaqësimit dinjitoz, në mënyrë që këto rekomandime të mos mbeten vetëm në letra, por të shndërrohen në ndryshim konkret për qytetarët tanë”, tha ajo.



Të tjera
Maqedonci mirëpret raportin e SHBA-së që konfirmon mbështetjen ndaj FSK-së
Unitedi “siguron” Edersonin
“Statusi i kandidatit Kosovës – përgjegjësi për Banjskën”, Hoxha me emisarin e dialogut: Shqipëria e gatshme të kontribuojë