KQZ ka miratuar regjistrimin e një partie të re politike në Kosovë, “Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale” (PQMS), e cila do të përfshihet zyrtarisht në regjistrin e partive politike me numrin rendor 53.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbajti mbledhjen e 35-të të këtij viti, të kryesuar nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi.
Në këtë mbledhje, KQZ vendosi regjistrimin e partisë së re politike “Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale” (PQMS).
Sipas KQZ-së, iniciativa qytetare e udhëhequr nga Sali Salihu kishte dorëzuar më 17 mars 2026 aplikacionin për regjistrim, së bashku me dokumentacionin e kërkuar, përfshirë statutin, programin, aktin e themelimit, simbolin, raportin financiar, nënshkrimet e përkrahësve dhe taksën e regjistrimit.
Pas shqyrtimit dhe plotësimeve të kërkuara, dokumentet janë dërguar në shqyrtim publik nga 1 deri më 7 prill 2026, periudhë gjatë së cilës nuk është pranuar asnjë ankesë. Me vendimin e sotëm, PQMS do të regjistrohet si parti politike dhe do të mbajë numrin rendor 53 në regjistrin e partive politike në Kosovë.
Në vijim të mbledhjes, KQZ mori vendim edhe për emërimin e komisionit të pranimit për pozitën e Drejtorit të Sekretariatit të KQZ-së.



Të tjera
Kryesia e LDK-së mblidhet sot pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve
Gjatë pastrimit të shtëpisë, gruaja has në dy granata dore në bodrum
Barcola duhet të largohet nga PSG, Liverpooli mund ta bëjë pasuesin ideal të Mohamed Salah