OVL – UÇK ka mirëpritur njoftimin e sotëm se Ligji për Vlerat e Luftës Çlirimtare të Kosovës pritet të procedohet javën e ardhshme në Qeveri dhe më pas në Kuvend, përcjell KosovaPost.
“Asgjë nga këto nuk ndodhi rastësisht. Prej muajsh, kemi ngulmuar në këtë kërkesë përmes shkresave zyrtare drejtuar Qeverisë, Kuvendit dhe grupeve parlamentare. Kemi aktivizuar strukturat tona në çdo degë. Kemi dalë me deklarata publike dhe kemi mbajtur prani të vazhdueshme në media. Mesazhi ynë ka qenë i qartë: neglizhenca institucionale për këtë çështje është e papranueshme dhe vonesat e mëtejshme do të provokonin pashmangshmërisht një reagim më të ashpër”, kanë shkruar ata në reagimin në Facebook.
OVL – UÇK kanë thënë se do ta ndjekin procesin me vigjilencë deri në miratimin përfundimtar në Kuvend. Ata theksojnë se nuk do të lejojnë që ajo që është fituar me sakrificë, të zbehet, shtyhet apo të materializohet për pazare politike.
“Ky hap ka rëndësi, por nuk mjafton. Procesi duhet të ofrojë përmbajtje, jo simbolikë. Në formën e tij përfundimtare, teksti duhet të pasqyrojë plotësisht kërkesat tona të deklaruara, të mbrojë vlerat e Luftës Çlirimtare dhe të garantojë njohje të dinjitetshme për çdo kategori pjesëmarrëse. Çdo përpjekje për t’i zbehur këto parime do të ishte e papranueshme, e padenjë për sakrificën mbi të cilën u ndërtuan liria dhe shtetësia e Kosovës”, vazhdon kjo organizatë.
“Vlerat e UÇK-së nuk janë çështje komoditeti. Ato janë detyrim i përhershëm institucional, një borxh ndaj çdo luftëtari që iu përgjigj thirrjes kur Kosova përballej me orën e saj vendimtare. Ky borxh nuk vjetërohet, As vendosmëria jonë për ta mbrojtur atë, pa tërheqje dhe pa kompromis”, thuhet në reagim.



Të tjera
Yamal mposht Vedat Muriqin në garën për lojtarin e muajit në La Liga
Kuvendi zgjedh anëtarët e KPM-së
Fillon restaurimi i Xhamisë së vjetër të Orllanit e cila u shkatërrua gjatë viteve të ’90-ta