Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar për një ndërprerje të përkohshme në funksionimin e elektrofiltrave në Termocentralin “Kosova A”.
Sipas njoftimit, problemi është evidentuar gjatë operimit dhe lidhet me një defekt teknik, ndërsa ekipet përkatëse kanë reaguar menjëherë për të identifikuar shkakun dhe për të ndërhyrë në sanimin e tij.
KEK-u ka bërë të ditur se aktualisht po vazhdojnë punimet për rikthimin e funksionalitetit të plotë të sistemit, duke theksuar se paralelisht po ndërmerren edhe masa parandaluese për të mbrojtur asetet tjera dhe për të shmangur rreziqet e mundshme.
“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se në Termocentralin “Kosova A” është evidentuar një ndërprerje e përkohshme në funksionimin e elektrofiltrave, si pasojë e një ndërprerjeje në qarkun elektrik të ndërprerësve të kompresorëve të ajrit me automatizëm, e cila ka shkaktuar ndaljen automatike të operimit të elektrofiltrave. Menjëherë pas evidentimit të situatës, ekipet teknike kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për identifikimin e plotë të shkakut, ndërsa aktualisht janë duke u zhvilluar ndërhyrjet për sanimin e defektit dhe rikthimin e funksionalitetit të plotë të sistemit”, thuhet në njoftim.
Megjithëse nuk janë bërë të ditura pasojat konkrete që mund të ketë shkaktuar kjo ndërprerje, KEK thekson se mbetet i përkushtuar për menaxhim profesional të situatës, transparencë dhe rikthim sa më të shpejtë në operim normal, në përputhje me standardet teknike dhe mjedisore në fuqi.



Të tjera
22 rregullat për të përmirësuar cilësinë e jetës suaj, sipas një psikologu
Test: Jeni romantike apo racionale?
Nagavci kujton ofertat e LVV-së për LDK-në dhe PDK-në, thotë se mund të shmangen zgjedhjet