Nagavci: Zgjedhja e Presidentit nga populli do të kishte legjimitet më të madh demokratik

Nagavci akuzon opozitën për bllokadë: Dy refuzime brenda ditës, po e çojnë vendin drejt zgjedhjeve

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka akuzuar ashpër opozitën për bllokadë politike, duke deklaruar se brenda një dite janë shënuar dy refuzime që dëmtojnë drejtpërdrejt interesat e qytetarëve dhe stabilitetin e institucioneve, përcjell KosovaPost.

Sipas Nagavcit, sjellja e opozitës po e shtyn vendin drejt zgjedhjeve të panevojshme, të cilat do t’i kushtonin buxhetit të shtetit rreth 10 milionë euro, ndërkohë që qytetarët mbeten pa mbështetjen e nevojshme financiare.

Nagavci ka bërë të ditur se, para fillimit të seancës, opozita ka refuzuar propozimin e LVV-së që vetë subjektet opozitare të propozojnë tre kandidatë për postin e Presidentit.

Ajo e ka cilësuar këtë si një akt kontradiktor, duke thënë se nga njëra anë opozita ankohet se pushteti po synon të mbajë të gjitha pozitat, por kur u jepet mundësia që të bëhen pjesë e zgjidhjes duke propozuar emra, ata përsëri refuzojnë.

Përveç çështjes së Presidentit, Nagavci ka kritikuar votën e sotme të opozitës kundër trajtimit në seancë plenare të rishikimit të buxhetit.

Ky rishikim ishte i paraparë të mundësonte financimin e Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0, një fond prej 200 milionë eurosh i destinuar për ndihmë konkrete për familjet kosovare që po përballen me rritjen e çmimeve.

Ajo theksoi se është ironike që opozita flet çdo ditë për koston e lartë të jetesës, por në momentin kur duhet votuar mbështetja financiare për qytetarët, ata zgjedhin refuzimin pa ofruar asnjë alternativë.

Në mbyllje të reagimit të saj, shefja e deputetëve të LVV-së paralajmëroi se kjo qasje bllokuese po e çon vendin drejt një procesi zgjedhor të kushtueshëm dhe të shmangshëm.

Ajo ritheksoi se zgjedhjet e reja do të ishin një humbje kohe dhe mjetesh që duhet të shkonin për qytetarët, duke e cilësuar sjelljen e opozitës si një seri refuzimesh që nuk prodhojnë asnjë zgjidhje për krizën aktuale.

Postimi i Plotë:

Për një ditë, dy refuzime.

Para fillimit të seancës, opozita refuzoi propozimin e LVV-së që vetë të propozojë tre kandidatë për President. Nga njëra anë ankohen se LVV po i do të gjitha pozitat. Nga ana tjetër, kur u jepet mundësia të propozojnë vetë, thonë jo.

Madje po sot, opozita votoi edhe kundër trajtimit në seancë plenare të rishikimit të buxhetit. Një rishikim që do të mundësonte financimin e Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0, në vlerë prej 200 milionë euro. Një ndihmë konkrete për familjet, që u refuzua. Çdo ditë flasin për çmimet e larta. Por kur vjen momenti për të ndihmuar familjet, nuk e votojnë.

Në të dy rastet, e njëjta sjellje refuzim, pa asnjë alternativë.

Kjo qasje na çon drejt zgjedhjeve të panevojshme. Zgjedhje që kushtojnë rreth 10 milionë euro. Si dhe i lë qytetarët pa mbështetje financiare. Para që duhet të shkonin për qytetarë.

Refuzim pas refuzimi, pa asnjë zgjidhje. Një gjë është e sigurt zgjedhjet e reja janë edhe të panevojshme edhe të shmangshme.