Ai tha se edhe deklarimi i Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, se ka lëvizje në këtë drejtim, mund të jetë e besueshme.
“Unë shpresoj shumë që Komisionerja për Zgjerim Marta Kos, ka prova se gjërat po lëvizin rreth pesë vendeve të Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Përndryshe, ajo nuk do ta thoshte një gjë të tillë fare”.
“Por mendoj se tani është koha që këto pesë vendet mosnjohëse ta kuptojnë se duke e pranuar Kosovën e pavarur, s’ka asgjë të bëjë me çështjet e tyre të mundshme, pra të brendshme, që ata mund t’i kenë. Pra, është koha e duhur që të lëvizet dhe sidomos me aplikimin e Kosovës që ajo e ka bërë për ta marrë statusin e vendit kandidat për në BE”, deklaroi Reuten.
Ai tha se me aplikimin e Kosovës mund të lëvizet pa asnjë problem, “se mund të shkelet ndonjë rregull a traktat i unionit, edhe nëse disa vende anëtare kanë nevojë për më shumë kohë që ta njohin Kosovën e pavarur”.
Sipas eurodeputetit holandez, çështja e njohjes së Kosovës duhet shtyrë përpara në mënyrë që shtetet që s’e njohin ta kuptojnë se kjo çështje s’ka të bëjë asgjë me çështjet a problemet e tyre të brendshme që ato shtete mund t’i kenë.
Kjo, siç tha Reuten, “ka të bëjë me një vend evropian, pra me Kosovën, e cila vazhdimisht përmendet në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
“Pra, Kosova është e ftuar në të gjitha samitet, si një nga vendet e Evropës Juglindore, dhe e cila e ka një perspektivë të anëtarësimit. Neve na duhet Kosova në familjen tonë. Prandaj unë sërish kam dërguar një amendament në Raportin e Sivjetshëm të Parlamentit Evropian, me të cilin thirren vendet anëtare që të nisin me procedimin e aplikimit për anëtarësimin në BE. Pra, që ky aplikim të dërgohet në Komision. Pra s’ka asgjë kontradiktore këtu dhe s’ka të bëjë me atë që disa vende nuk e kanë njohur pavarësinë. Mund të procedohet me këtë, ka raste të tilla. Pastaj Komisioni mund të nisë punën në aplikimin dhe të dërgojë madje edhe pyetësorin”, u shpreh eurodeputeti holandez, Thijs Reuten në një intervistë për Info Magazine në Klan Kosova.



Të tjera
Si “ta thyeni akullin” me dikë që sapo jeni njohur?
Pse duhet të hani një lugë mjaltë çdo natë para gjumit
Nis peticioni për përfshirjen e Murat Jasharit në garën për president