Rama reagon pas të shtënave në darkën e Trumpit: Sulm që godet demokracinë

Rama reagon pas të shtënave në darkën e Trumpit: Sulm që godet demokracinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas incidentit me të shtëna në Darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në Uashington.

Në një postim në rrjetin social “X”, Rama e ka dënuar ashpër sulmin, duke thënë se ngjarje të tilla godasin lirinë e shprehjes dhe mënyrën demokratike të jetesës kudo në botë.

Ai është shprehur gjithashtu i lehtësuar që të gjithë të pranishmit, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, kanë dalë të sigurt nga incidenti.

“Shqetësuese të marr lajmin për sulmin e dhunshëm të një personi të armatosur në një hotel në Uashington, DC, gjatë një eventi presidencial me gazetarë. Një sulm si ky godet lirinë dhe mënyrën tonë demokratike të jetesës kudo. E dënoj me forcë. Ndihem i lehtësuar që gjithë të pranishmit janë shëndoshë e mirë”, ka shkruar Rama.

Të shtënat u raportuan gjatë fillimit të darkës, duke shkaktuar panik mes të pranishmëve, ndërsa forcat e sigurisë evakuuan sallën dhe arrestuan menjëherë të dyshuarin. Hetimet për rastin janë duke vazhduar.