Lionel Messi mund ta humbasë mentorin e tij afatgjatë te kombëtarja e Argjentinës, pasi Real Madridi raportohet se e ka kontaktuar Lionel Scalonin për mundësinë që ai ta zëvendësojë Álvaro Arbeloan.
Kampioni i botës është njëri nga kandidatët për ta marrë drejtimin e ekipit nga “Santiago Bernabéu” nëse “Los Blancos” vendosin të ndahen me Arbelon.
Reali ndodhet në një periudhë tranzicioni dhe pasigurie.
Me klubin aktualisht 11 pikë prapa Barcelonës në La Liga dhe me pak objektiva të mbetura këtë sezon, presioni mbi trajnerin Arbeloa po rritet.
Mandati i tij në stol është parë gjithmonë si një zgjidhje e përkohshme, ndërsa drejtuesit e klubit tashmë po e kërkojnë një pasardhës me emër të madh.
Disa emra të mëdhenj tashmë janë lidhur me pozitën “e nxehtë” si Cesc Fàbregas, Jürgen Klopp dhe madje edhe trajneri i Francës, Didier Deschamps.
Por, emri më i fundit dhe më interesanti i presidentit Florentino Perez është ai i një trajneri me lidhje të forta me legjendën më të madhe të rivalit historik të Real Madridit.
Sipas radios spanjolle “El Partidazo de COPE”, Real Madridi e ka bërë kontakt zyrtar me Lionel Scalonin.
47-vjeçari e ka rritur ndjeshëm reputacionin e tij pasi e udhëhoqi Argjentinën drejt fitimit të Kupës së Amerikës dhe Kupës së Botës, duke u konfirmuar si një nga trajnerët më të suksesshëm në futbollin ndërkombëtar.
Aftësia e tij për të menaxhuar lojtarë të mëdhenj, përfshirë Lionel Messin, e ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve të Real Madridit.
Një lëvizje e tillë do ta përbënte një ndryshim të madh për Scalonin, i cili prej vitesh ka ndërtuar një projekt fitues me Argjentinën.
Scaloni është i kontraktuar me Federatën Argjentinase të Futbollit deri në fund të Kupës së Botës 2026.
Pavarësisht interesimit nga klubet evropiane, ai ka mbetur i fokusuar te detyra e tij aktuale me kombëtaren.
Në një konferencë për shtyp në mars, ai u tregua i rezervuar për të ardhmen e tij:
“Po mendoj vetëm për atë që vjen përpara, nuk jam nga ata që planifikojnë shumë larg. Nuk është e përshtatshme sepse të shpërqendron,” u shpreh ai.
“E kam një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin dhe nëse duhet të ulemi për të folur, do ta bëj pa problem.”/GE



Të tjera
Çelja e luleve apo ardhja e pranverës shton numrin e alergjive
Presidenti si pretekst: interesi publik në hije të kalkulimeve politike
Seanca për Presidentin, Nagavci i drejtohet opozitës: Po pres nënshkrimet tuaja