Kuvendi i Kosovës e ka miratuar propozim – vendimin e qeverisë për formimin e Komisonit të ri për dhënien e Provimit të Jurisprudencës. 63 deputetë kanë votuar pro, ndërsa 4 ishin kundër dhe asnjë abstenim.
Komisioni i ri është në këtë përbërje: Arian Gashi, kryetar, Ersan Qavolli, Lumni Sallauka, Arsim Hamza, Anita Prenaj Krasniqi, Suada Rama Hamza, Burim Shala, Nehat Qelaj, Bujar Muzaqi dhe Hysni Ismaili.
Ndërsa zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, gjatë paraqitjes së propozim-vendimit për emërimin e përbërjes së re të Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës para deputetëve theksoi se vendimi për ndryshimin e komisionit vjen pas një vlerësimi gjithëpërfshirës të procesit për periudhën 2023-2025.
Sipas saj, gjetjet e Ministrisë së Drejtësisë kanë evidencuar mangësi thelbësore që prekin direkt integritetin e provimit.
Ministrja Gërvalla-Schwarz bëri të ditur se gjatë mandatit të fundit janë pranuar mbi 243 ankesa nga kandidatët, të cilat nuk janë shqyrtuar në mënyrë substanciale. Ajo renditi disa nga shkeljet kryesore: Devijime programore: Hartim i pyetjeve jashtë programit dhe në mospërputhje me legjislacionin në fuqi; Mungesë e objektivitetit: Vlerësim i kandidatëve pa arsyetim të mjaftueshëm, duke krijuar hapësirë për trajtim jo të barabartë dhe parregullsi në dokumentim: Mospërputhje ndërmjet procesverbaleve dhe vlerësimeve përfundimtare të kandidatëve.
Një tjetër pikë shqetësuese që ministrja ngriti ishte rënia drastike e shkallës së kalueshmërisë.
“Ndërkohë që në periudhën 2021-2023 kalueshmëria ishte mbi 34%, në mandatin e komisionit aktual (2023-2025) ajo ka rënë në nivelin 3 deri 4%”, tha ajo.
Sipas ministres, kjo shpërputhje e madhe ngre dyshime të arsyeshme mbi konsistencën e vlerësimit dhe standardet e aplikuara.
Ministrja nënvizoi se qëllimi i emërimit të përbërjes së re është garantimi i një procesi profesional që bazohet ekskluzivisht në meritokraci.
“Ky veprim është ndërmarrë për t’i adresuar nevojat dhe pritshmëritë e kandidatëve, si dhe për të siguruar që sistemi i drejtësisë të furnizohet me juristë të vlerësuar në mënyrë të drejtë dhe transparente”, përfundoi ajo, duke ftuar ligjvënësit ta mbështesin këtë ndryshim.



Të tjera
Fëmijët po konsumojnë sheqer më shumë sesa duhet
Kurti: PDK e LDK kanë mundur t’i sjellin tre emra e t’na testojnë, por krerët e tyre po bëjnë propozime partiake në rrjete sociale
Haxhiu: Deputetët janë të obliguar të votojnë dhe ta mundësojnë zgjedhjen e Presidentit, kështu thotë Kushtetuesja