Zvicra lanson programin 2026–2029 për Kosovën me 70 milionë euro

Zvicra lanson programin 2026–2029 për Kosovën me 70 milionë euro

Kosova dhe Zvicra kanë lansuar Programin e Bashkëpunimit për periudhën 2026–2029, duke konfirmuar vazhdimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve, përcjell KosovaPost.

Në një ngjarje të përbashkët të mbajtur në Prishtinë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë, partnerëve dhe përfituesve të shumtë, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, ambasadorja Patricia Danzi, drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), si dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ritheksuan miqësinë e fortë ndërmjet dy vendeve.

Ambasadori Sprecher theksoi se mbështetja e Zvicrës ka qenë gjithmonë e udhëhequr nga një përkushtim i fortë ndaj qytetarëve të Kosovës dhe zhvillimit të vendit, duke nënvizuar se, ndërsa Kosova vazhdon të zhvillohet, programi i ri reflekton një kalim drejt një partneriteti më strategjik dhe fuqizimit të ndërsjellë.

Në emër të institucioneve federale zvicerane, pjesëmarrësve iu drejtua ambasadorja Patricia Danzi, e cila deklaroi se fokusi i Programit të Bashkëpunimit 2026–2029 është në përputhje me Strategjinë Kombëtare Zhvillimore të Kosovës dhe është ndërtuar në partneritet të ngushtë me institucionet qendrore dhe lokale, sektorin privat dhe shoqërinë civile.

Ajo theksoi se programi përfaqëson një angazhim të konsiderueshëm prej rreth 70 milionë eurosh, duke shtuar se vlera e tij qëndron në ndikimin real për përmirësimin e jetës së qytetarëve, forcimin e sistemeve dhe krijimin e mundësive në gjithë Kosovën.

Kryeministri Albin Kurti falënderoi Zvicrën për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar lidhjet e ngushta ndërmjet dy vendeve dhe rolin e diasporës kosovare në Zvicër. Ai vuri në dukje se Zvicra është ndër partnerët më të mëdhenj dypalësh të bashkëpunimit për Kosovën dhe investitori i dytë më i madh i huaj.

Kurti theksoi se qëllimi i Kosovës mbetet anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian, ndërsa Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2030 shërben si udhërrëfyes dhe programi i ri i bashkëpunimit është i harmonizuar me prioritetet e reformave të BE-së.

Programi i Bashkëpunimit të Zvicrës në Kosovë 2026–2029 pasqyron përkushtimin e përbashkët për ruajtjen e stabilitetit, promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe adresimin e sfidave të reja. Ai fokusohet në tri fusha kryesore: qeverisja demokratike dhe paqja, zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm dhe tranzicioni i gjelbër, si dhe zhvillimi i barabartë njerëzor. Gjithashtu, do të vazhdojë edhe bashkëpunimi në fushën e migrimit.

Kontributi financiar i Zvicrës për katër vitet e ardhshme arrin në 64.5 milionë CHF, përkatësisht rreth 70 milionë euro.

Programi është zhvilluar përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Divizionin për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut në kuadër të Departamentit Federal për Punë të Jashtme (FDFA), Sekretariatin Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO) dhe Sekretariatin Shtetëror për Migrim (SEM).