Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë dhe kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, ka reaguar ndaj bllokimit të fondit për Luginën e Preshevës të ndara nga Qeveria e Kosovës. Kamberi thotë se edhe bankat po bëhen instrument i diskriminimit politik ndaj shqiptarëve në Serbi.
Kamberi me këtë rast ka akuzuar bankën “HalkBank” që refuzoi donacionet e ardhura nga Kosova për Këshillin Kombëtar Shqiptar, duke e cilësuar këtë veprim si diskriminim politik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në reagim publik, Kamberi ka thënë se refuzimi i donacioneve po bëhet pa transparencë, pa vendim publik dhe pa arsyetim ligjor, duke e quajtur këtë situatë “precedent shqetësues dhe të papranueshëm”.
“Ky nuk është më një veprim teknik apo bankar, por një akt me përmbajtje të qartë politike dhe diskriminuese”, ka deklaruar Kamberi.
Sipas tij, përfshirja e një institucioni financiar në bllokimin e mjeteve që synojnë mbështetjen e institucioneve të pakicës shqiptare në Serbi përbën bashkëpjesëmarrje në një politikë sistematike përjashtuese.
Kamberi ka theksuar se ky veprim nuk është vetëm një goditje financiare ndaj Këshillit Kombëtar Shqiptar, por një përpjekje për të izoluar institucionalisht shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për të penguar lidhjet e tyre me Kosovën.
Ai ka paralajmëruar se nga këto bllokime preken drejtpërdrejt qindra përfitues shqiptarë, përfshirë nxënës, studentë, media, shoqëri civile, bujq, si dhe organizata që punojnë me fëmijët me nevoja të veçanta.
Duke përmendur heshtjen ndërkombëtare, Kamberi ka ngritur pyetje të drejtpërdrejta ndaj Bashkimit Evropian, OSBE-së, Këshillit të Evropës dhe ambasadave perëndimore, duke kërkuar reagim institucional.
Ai ka ngritur gjithashtu shqetësimin edhe për rolin e Ambasadës së Turqisë, duke pyetur pse po hesht, kur një institucion bankar i lidhur me të, sipas tij, po bëhet pjesë e një mekanizmi diskriminues.
“Pse heshtin BE, OSBE, KE dhe ambasadat perëndimore? Dhe, mbi të gjitha, pse hesht ambasada turke duke lejuar që një institucion financiar i lidhur me të bëhet pjesë e një mekanizmi diskriminues ndaj pakicës shqiptare? Prandaj nevojitet urgjentisht: Transparencë e plotë nga HalkBank për këtë vendim; Sqarim institucional mbi bazën ligjore të refuzimit; Ndërprerja e menjëhershme e kësaj praktike diskriminuese ndaj institucioneve shqiptare”, ka shkruar Kamberi.
Në fund, Kamberi ka kërkuar urgjentisht transparencë të plotë nga HalkBank, sqarim institucional mbi bazën ligjore të refuzimit dhe ndërprerjen e menjëhershme të kësaj praktike, duke paralajmëruar se në të kundërtën çështja do të ngrihet në nivele ndërkombëtare dhe edhe para institucioneve gjyqësore.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës këtë vit ka ndarë 4 milionë euro për Luginën e Preshevës dhe Sanxhakun.



Të tjera
Ide për një shtëpi sa ma komode
Parlamenti turk i bën thirrje Izr@elit të lirojë aktivistët e ndaluar, e quan ndalimin e flotiljes “kr*im lu*fte”
Kosova në IBSA Xhudo Grand Prix me xhudist për herë të parë