Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vlerësuar 10-vjetorin e anëtarësimit të Kosovës në UEFA si një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne të vendit dhe të futbollit kosovar.
Në një mesazhnë rrjetet sociale, Ademi theksoi se muaji maj shënon një jubile të dyfishtë historik, duke kujtuar pranimin e Kosovës në UEFA më 3 maj 2016 në Kongresin e Budapestit, si dhe anëtarësimin në FIFA më 13 maj të po atij viti në Meksikë.
Sipas tij, këto dy data shënuan fundin e një periudhe izolimi dhe hapjen e një kapitulli të ri për futbollin kosovar në arenën ndërkombëtare.
“Ky jubile përbën gur-themelin e historisë moderne të futbollit tonë dhe një kapitull të rëndësishëm në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës”, theksoi Ademi.
Ai nënvizoi progresin e madh të arritur gjatë kësaj dekade, duke përmendur ngritjen e Kosovës nga pozita e 190-të në renditjen e FIFA-s në vendin e 78-të aktualisht, si dëshmi e zhvillimit të shpejtë dhe potencialit të futbollit vendor.
Ademi, transmeton klankosova.tv, rikujtoi edhe sukseset sportive të Kombëtares, përfshirë ngjitjen në Ligën B të UEFA Nations League dhe paraqitjet në kualifikimet për Botërorin 2026, ku Kosova siguroi “play-off”-in në një grup të fortë.
Ai përmendi gjithashtu ndeshjet konkurruese ndaj Zvicrës, Suedisë e Sllovenisë, si dhe fitoren ndaj Sllovakisë në gjysmëfinale.
“Edhe pse finalja ndaj Turqisë nuk përfundoi sipas dëshirës sonë, rrugëtimi ynë na jep besim se kualifikimi në Euro 2028 është një objektiv i arritshëm”, u shpreh ai.
Kreu i FFK-së theksoi se progresi nuk është kufizuar vetëm te Kombëtarja A, por përfshin edhe ekipet zinxhir, futsallin dhe futbollin e femrave, si dhe sukseset e klubeve kosovare, veçanërisht Ballkanit dhe Dritës në garat evropiane.
Në planin infrastrukturor, Ademi veçoi investimet e realizuara përmes programeve “UEFA HatTrick” dhe “FIFA Forward”, duke përmendur ndërtimin e selisë së re të FFK-së, përmirësimin e stadiumit “Fadil Vokrri”, si dhe zhvillimin e Kampit Nacional në Hajvali dhe projekteve të tjera në mbarë vendin.



Të tjera
DASH reagon: Bllokimi i vazhdueshëm politik dëmton besimin në institucionet e Kosovës
Specialja nuk e pranon raportin e organizatës britanike
Inter një hap larg titullit, por festa shtyhet për javën e fundit