Klinaku, për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit: Tentuan ta degradojnë, së shpejti do t’i shihet minarja

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Abdullah Klinaku, ka vlerësuar arritjen e marrëveshjes për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit, e djegur më 1999.

Në një postim, Klinaku u shpreh se ky ishte një premtim i dhënë, për të cilin pati përpjekje për ta degraduar, por që po merr rrugën institucionale të realizimit.

“Trashëgimia jonë islame, e rrënjosur thellë në vlerat tona kombëtare, po rikthehet me mbështetjen e institucioneve të Republikës së Kosovës” deklaroi Klinaku.

Ky është postimi i plotë i tij:

Trashëgimia jonë islame, e rrënjosur thellë në vlerat tona kombëtare, po rikthehet me mbështetjen e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Më 2 maj 1999, xhamia e Ibrit u dogj nga forcat serbe, një goditje ndaj besimit dhe identitetit tonë.

Sot, më 2 maj 2026, Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Bashkësinë Islame nisin procedurat për ndërtimin e saj.

Një premtim i dhënë, që pavarësisht përpjekjeve për ta degraduar apo për ta pëvetësuar padrejtësisht, tashmë ka marrë rrugën institucionale të realizimit dhe së shpejti do t’i shihet minarja, dashtë Zoti!