Fahrije Hoti i bashkohet Vjosa Osmanit në zgjedhje

Fahrije Hoti i bashkohet Vjosa Osmanit në zgjedhje

Fahrije Hoti pritet t’i hyjë politikës aktive, duke kandiduar për deputete në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit.

Lajmin e ka bërë të ditur ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një publikimi në rrjetin social Facebook.

Sipas saj, Hoti do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë, duke përfaqësuar një figurë të fuqishme të grave dhe një histori të veçantë të qëndresës dhe përkushtimit në vend.

Osmani e ka vlerësuar lart figurën e Hotit, duke theksuar se ajo mishëron forcën, ndershmërinë dhe punën e palodhur.

“Nëse një grua vendos të ngrihet, ajo e bën këtë për të gjithë”, ka shkruar ajo, duke e përshkruar Hotin si një grua të fortë, të sinqertë dhe tepër punëtore.

Fahrije Hoti është një aktiviste nga Krusha e Madhe, e njohur për kontributin e saj në fuqizimin ekonomik të grave pas luftës në Kosovë. Ajo ka organizuar punë të përbashkët për përpunimin e produkteve bujqësore, duke u bërë simbol i punës dhe rimëkëmbjes së komunitetit.