Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion të gjerë në kuadër të planit operativ “Ditët e Veprimit të Përbashkët JAD Global Chain 2026-Qershor 2026”, i realizuar nga 8 deri më 12 qershor në koordinim me EUROPOL, INTERPOL, FRONTEX dhe institucione të tjera vendore e ndërkombëtare.
Në njoftim theksohet se operacioni është udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe ka përfshirë kontrolle në lokale me muzikë live, qendra masazhi, operacione për identifikimin e fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit, si dhe planin taktik për luftimin e prostitucionit përmes eskortave.
Tutje thuhet se gjatë inspektimit të 59 lokaleve me muzikë live në tërë Kosovën, janë hasur gjithsej 420 persona, prej tyre 317 femra dhe 109 meshkuj, prej tyre 186 shtetas të Kosovës ndërsa 234 shtetas të huaj (220 femra shtetase të Shqipërisë, 9 femra shtetase të Serbisë, 4 femra shtetase te Maqedonia e Veriut, 1 femër shtetase e Bullgarisë).
Prej këtyre lokaleve të inspektuara gjashtë lokale janë gjetur të mbyllura, ndërsa për shkelje administrative nga Inspektorët e MINT janë mbyllur nëntë lokale te muzikës live.
Po ashtu, janë kontrolluar 62 qendra masazhi, ku janë hasur 104 persona, përfshirë 45 shtetas të huaj. Nga këto qendra, 10 janë mbyllur për shkelje administrative.
Policia bëri me dije se gjatë zbatimit të planit nuk është identifikuar asnjë rast i veprës penale “Trafikim me njerëz”.
Megjithatë, janë evidentuar shtatë raste të dyshuara për “Keqtrajtim apo braktisje të fëmijës”, ku janë arrestuar shtatë gra, katër shtetase të Shqipërisë, një e Malit të Zi dhe dy të Kosovës, të cilat u hasën duke kërkuar lëmoshë me fëmijët e tyre në rrugë dhe sheshe. Në total janë përfshirë 13 fëmijë, rastet e të cilëve janë trajtuar në bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale.
Gjithashtu, janë evidentuar katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion” në kuadër të eskortës, ku janë arrestuar tetë persona, katër shtetas të Kosovës dhe katër shtetase të huaja, dy nga Brazili dhe dy nga Kolumbia.
Sipas Policisë, të gjitha punëtoret e hasura duke punuar në lokalet e muzikës live, qendrat e masazhit dhe në aktivitetet e eskortës janë intervistuar për të verifikuar nëse ishin viktima të ndonjë forme të shfrytëzimit apo trafikimit, por nuk është identifikuar asnjë rast i tillë.



Të tjera
Keni shtuar kile gjatë karantinës? Zgjidhja më e mirë është ‘dieta’ 80 me 20
Aksioni i Policisë: Mbyllen 9 lokale të muzikës live dhe 10 qendra masazhi
Zgjimi i hershëm nga gjumi ul rrezikun për kancer të gjirit