Është lansuar shërbimi digjital për regjistrimin e të porsalindurve në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare e Kosovës, transmeton KosovaPost.
Sipas QKUK’së, kjo shënon hap të rëndësishëm në modernizimin e shërbimeve shëndetësore dhe administrative.
“Ky sistem u mundëson prindërve që regjistrimin e foshnjës ta kryejnë drejtpërdrejt në QKUK, pa procedura shtesë dhe pa paraqitje fizike në institucione të tjera. Të dhënat barten automatikisht te institucionet përkatëse, duke eliminuar ngarkesën administrative”, thuhet në njoftim.
Shërbimi përfshin: regjistrimin në sistemin shëndetësor, aplikimin për shtesa për lehonën dhe fëmijën, regjistrimin e vaksinimit, hapjen e llogarive në eKosova dhe njoftimin elektronik të institucioneve.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se ky është një hap konkret drejt digjitalizimit dhe lehtësimit të procedurave për prindërit, dhe ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen.
Para QKUK-së, shërbimi ka nisur të zbatohet si pilot-projekt në spitalet e Gjilanit dhe Ferizajt, ndërsa pas QKUK-së do të shtrihet në të gjitha maternitetet në vend.



Të tjera
Kurti nga Jerevani: Anëtarësimi në BE dhe në NATO, garanci për stabilitetin e Kosovës
Ata që hanë ushqim djegës çdo ditë rrezikohen nga dementia
Ndërrohet komanda e kontingjentit grek në KFOR në Prishtinë