Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, në kuadër të angazhimeve për forcimin e partneritetit strategjik, në margjina të “SAHA EXPO 2026”, ka zhvilluar takim me sekretarin e Industrisë së Mbrojtjes të Turqisë, Haluk Gorgun, transmeton KosovaPost.
Ministri Maqedonci e konsideroi takimin “të rëndësishëm”. Ai në rrjetet sociale tha se diskutoi me Gorgun për ndërtimin e themeleve të industrisë së mbrojtjes në Kosovë, me fokus të veçantë për projektin e fabrikës së municionit, e cila pritet të ndërtohet këtë vit si një markë 100 për qind vendore.
“Po ashtu biseduam për thellimin e bashkëpunimit me kompanitë turke të industrisë së mbrojtjes, prokurimet e radhës dhe nismat konkrete për bashkëprodhime të mundshme”, njoftoi Maqedonci.
Më tej, ministri kosovar njoftoi se së bashku me sekretarin Gorgun, u takua edhe me zv/presidentin e Turqisë, Cevdet Yilmaz, si dhe shefin ekzekutiv të kompanisë Baykar, Haluk Bayraktar, njëherazi themelues i SAHA EXPO, me të cilët vizituan disa prej stendave të kompanive pjesëmarrëse.
“Marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, të ndërtuara ndër vite mbi besim dhe bashkëpunim të ndërsjellë, po thellohen vazhdimisht, duke u shndërruar në një shtyllë të rëndësishme për garantimin e paqes, sigurisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm në rajon”, shkroi Maqedonci.



Të tjera
Brazili merr vendim për Ancelottin
Presidenti Begaj kalon nëpër Kosovë, policia njofton për kufizime në trafik
Këto ushqime duhet t’i hani në mëngjes