Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, në kuadër të angazhimeve për forcimin e partneritetit strategjik, në margjina të “SAHA EXPO 2026”, ka zhvilluar takim me sekretarin e Industrisë së Mbrojtjes të Turqisë, Haluk Gorgun, transmeton KosovaPost.
Ministri Maqedonci e konsideroi takimin “të rëndësishëm”. Ai në rrjetet sociale tha se diskutoi me Gorgun për ndërtimin e themeleve të industrisë së mbrojtjes në Kosovë, me fokus të veçantë për projektin e fabrikës së municionit, e cila pritet të ndërtohet këtë vit si një markë 100 për qind vendore.
“Po ashtu biseduam për thellimin e bashkëpunimit me kompanitë turke të industrisë së mbrojtjes, prokurimet e radhës dhe nismat konkrete për bashkëprodhime të mundshme”, njoftoi Maqedonci.
Më tej, ministri kosovar njoftoi se së bashku me sekretarin Gorgun, u takua edhe me zv/presidentin e Turqisë, Cevdet Yilmaz, si dhe shefin ekzekutiv të kompanisë Baykar, Haluk Bayraktar, njëherazi themelues i SAHA EXPO, me të cilët vizituan disa prej stendave të kompanive pjesëmarrëse.
“Marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, të ndërtuara ndër vite mbi besim dhe bashkëpunim të ndërsjellë, po thellohen vazhdimisht, duke u shndërruar në një shtyllë të rëndësishme për garantimin e paqes, sigurisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm në rajon”, shkroi Maqedonci.



Të tjera
KQZ hap afatin për korrigjimin e pasaktësive në Listën e Votuesve
Vdes në moshën 87-vjeçare themeluesi i CNN, Ted Turner
Gjithçka gati për super ndeshjen Bayern – PSG, formacionet zyrtare