MAPL prezanton grantet dhe projektet e bashkëpunimit ndërkufitar

MAPL prezanton grantet dhe projektet e bashkëpunimit ndërkufitar

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka prezantuar skemën e granteve dhe projektet e mbështetura në kuadër të programeve të bashkëpunimit ndërkufitar, duke vënë në pah rezultatet e arritura dhe fazën e re të financimeve evropiane.

 

Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka shprehur mirënjohje për Bashkimin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme ndaj institucioneve të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar me Maqedoninë e Veriut.

Sipas Krasniqit, gjatë viteve të fundit bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve ka dhënë rezultate të rëndësishme për qytetarët në të dy anët e kufirit. Në kuadër të programit IPA II janë zbatuar gjithsej 18 projekte me vlerë rreth 8 milionë euro, të cilat kanë kontribuar në zhvillimin socio-ekonomik dhe mjedisor.

Ai theksoi se përmes këtyre projekteve janë realizuar investime në infrastrukturë publike dhe mjedisore, menaxhim të ujërave dhe mbrojtje nga vërshimet, trajtim të mbeturinave, promovim të ekonomisë qarkore, si dhe zhvillim të turizmit të qëndrueshëm dhe trashëgimisë kulturore. Sipas tij, këto iniciativa kanë krijuar mundësi të reja për gratë, të rinjtë dhe bizneset lokale, duke forcuar bashkëpunimin institucional dhe lidhjet mes komuniteteve.

“Këto rezultate tregojnë qartë se partneriteti rajonal nuk është vetëm një objektiv institucional, por një instrument i rëndësishëm për zhvillim të qëndrueshëm dhe përfitime konkrete për qytetarët tanë”, u shpreh Krasniqi.

Ai njoftoi gjithashtu se po vazhdohet me fazën e re të bashkëpunimit IPA III, në kuadër të së cilës janë përzgjedhur gjashtë projekte për financim. Këto projekte do të fokusohen në mbrojtjen e mjedisit, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, menaxhimin e rreziqeve, zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, ekonominë qarkore dhe zhvillimin ekonomik.

“Këto projekte përfaqësojnë vazhdimësinë e partneritetit tonë të suksesshëm dhe një mundësi të re për të sjellë rezultate edhe më të prekshme për qytetarët tanë”, shtoi ai.

MAPL vlerëson se programet e bashkëpunimit ndërkufitar mbeten një instrument i rëndësishëm për zhvillim të qëndrueshëm dhe forcim të bashkëpunimit rajonal.