Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha ka konfirmuar se aktivisti shqiptar, Baki Goxhaj, pjesëmarrës në Flotiljen Globale të ndihmës për Gazën “Sumud”, është rrugës për në atdhe, transmeton Anadolu.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Hoxha ka theksuar se që në momentin e parë të sinjalizimit, strukturat e Shërbimit të Jashtëm, në bashkërendim me institucionet e tjera shqiptare kanë ndjekur pa ndërprerje çështjen, sipas tij “në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet izraelite”.
“Shtetasi shqiptar, Baki Goxhaj, pjesëmarrës në flotiljen ‘Global Sumud’, është tashmë rrugës për në atdhe. Shqipëria ka qenë e qartë dhe konsistente në kërkesën e saj për respektimin e plotë të të drejtave të shtetasit shqiptar, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe normat humanitare, duke reaguar kundër çdo forme trajtimi të papranueshëm. Ky rast është një tjetër dëshmi e përkushtimit të përditshëm dhe e punës profesionale të Shërbimit të Jashtëm, përfshirë përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore, për t’u gjendur pranë qytetarëve shqiptarë në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, me përgjegjësi, profesionalizëm dhe përkushtim të plotë institucional”, ka shkruar Hoxha.
Goxhaj ishte në mesin e aktivisteve të Flotiljes Globale “Sumud”, që u ndalua nga Izraeli.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, ministri Hoxha reagoi edhe mbi publikimin e videos nga ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, që tregonte forcat izraelite të sigurisë duke keqtrajtuar aktivistët në portin Ashdod.
Hoxha theksoi se imazhet e ndara nga Ben-Gvir, që sipas tij tregojnë trajtimin poshtërues të aktivistëve të ndaluar të flotiljes, janë “tronditëse dhe të papranueshme”.



Të tjera
Darwin Nunez përgatitet për rikthimin e madh në Evropë
Edhe bimët kanë tru
FSK dhe ushtria gjermane realizojnë trajnim bazik për kërkim-shpëtim urban