Dy grada për policët me përvojë mbi 10 vjet

Dy grada për policët me përvojë mbi 10 vjet

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se është miratuar Udhëzimi i ri Administrativ për Procesin e Gradimit në Policinë e Kosovës.Përmes këtij udhëzimi, zyrtarët policorë që nuk janë graduar prej më shumë se 10 vitesh do të kenë mundësi të hyjnë në proces për dy grada njëherazi, përcjell KosovaPost.

Po ashtu, më 26 qershor do të mbahet testi për gradën “Toger”, ku do të mund të aplikojnë policët dhe rreshterët.

Sveçla tha se, pas një pune të përbashkët të grupeve punuese, tashmë është finalizuar udhëzimi administrativ që mundëson gradimin e zyrtarëve policorë, duke realizuar kështu një të drejtë që për më shumë se një dekadë kishte mbetur pezull për shumë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

“Sot kemi një udhëzim administrativ që u hap rrugë gradimeve të zyrtarëve policorë. Më 26 qershor do të mbahet testimi i parë për zyrtarët policorë dhe rreshterët që synojnë gradën toger, ndërsa menjëherë pas tij do të pasohet me testimin për gradën rreshter. Urime dhe suksese të gjithëve”, deklaroi ai përmes një videomesazhi në “Facebook”.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, bëri të ditur se udhëzimi administrativ tashmë është nënshkruar dhe se shumë shpejt do të nisë procesi i gradimeve.

“Sot kemi nënshkruar udhëzimin administrativ për gradimin e zyrtarëve tanë policorë. Shumë shpejt do të fillojmë me procesin e gradimit dhe njëkohësisht i ftoj të gjithë zyrtarët që të përgatiten dhe të aplikojnë, në mënyrë që të jenë eprorë dhe liderë shembull në organizatën tonë policore, në shërbim të Policisë së Kosovës dhe shtetit tonë”, tha Hoxha.