Blerina Kllokoqi Rugova publikon video emocionale për Ibrahim Rugovën dhe familjen: Fillimi i një historie që ende vazhdon

Stilistja e njohur dhe nusja e madhe e Presidentit historik të Kosovës, Blerina Kllokoqi Rugova, ka publikuar së fundmi një video me tone të forta emocionale, kushtuar Ibrahim Rugovës dhe rrugëtimit të familjes së tij në vitet më të vështira për Kosovën.

Videoja, e ndërtuar si një rrëfim me data dhe fraza të shkurtra, rikthen vëmendjen te një periudhë kyçe e historisë së vendit, duke e hapur me mesazhin se “historia në vazhdim bazohet në ngjarje…”, ndërsa më pas shënon datën 24.05.1992 – Prishtinë.

“Fillimi i një peshe. Fillimi i një rruge. Fillimi i një historie që ende vazhdon”, thuhet në video, e cila shoqërohet edhe me tri fjalë kyçe që lidhen me idealin politik të asaj kohe: “Liri. Demokraci. Pavarësi.”

Një tjetër pjesë e videos ndalet te një episod i rëndë që, sipas rrëfimit, ndodhi më 29 maj 1992, kur Rugova thuhet se u sulmua me shishe xhami teksa po hynte në banesën e tij në Lagjen Lakrishtë në Prishtinë, nga serbë që banonin në të njëjtën hyrje.

“Atë ditë Presidenti me familje largohen nga banesa”, theksohet më tej.

Në vijim, videoja sjell edhe një dimension familjar dhe njerëzor të ngjarjeve, duke përmendur se “Uka lë pas shoqërinë, lodrat, rrugën ku u rrit dhe jetën e tij si fëmijë”, ndërsa specifikohet se për dy vite familja jetoi te motra e zonjës Fanë në Sofali.