Zyra e Presidentes ka reaguar lidhur me raportimet e sotme për vëzhgimin ndërkombëtar të zgjedhjeve të 7 qershorit, duke sqaruar se ftesa drejtuar Bashkimit Evropian nuk është injoruar.
Zyra e Presidentes ka pranuar përgjigje zyrtare nga Bashkimi Evropian, në të cilën theksohet se, për shkak të kohës së shkurtër deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, nuk është i mundur dërgimi i një Misioni Vëzhgues të Zgjedhjeve apo i një Misioni të Ekspertëve Zgjedhorë.
Në të njëjtën përgjigje, BE-ja ka bërë të qartë se po shqyrton dhe koordinon një prani ndërkombëtare në ditën e zgjedhjeve përmes Zyrës së BE-së në Kosovë, shteteve anëtare të BE-së dhe partnerëve të tjerë të pranishëm në vend.
Në reagimin e Presidencës thuhet se “paraqitja e kësaj çështjeje si “injorim” i kërkesës së u.d. Presidentes është e pasaktë dhe nuk pasqyron përmbajtjen e komunikimit zyrtar ndërmjet institucioneve.”
“Ftesa e u.d. Presidentes Haxhiu për Bashkimin Evropian është bërë në frymën e transparencës, besueshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor. Kjo mbetet qasje institucionale e Republikës së Kosovës: zgjedhje të lira, të ndershme, gjithëpërfshirëse dhe të vëzhguara sa më gjerësisht nga partnerët ndërkombëtarë.”, thuhet tutje.
“Zyra e Presidentes mirëpret praninë e Zyrës së BE-së në Kosovë, të shteteve anëtare, të partnerëve ndërkombëtarë dhe të të gjitha organizatave të akredituara për vëzhgimin e zgjedhjeve. Republika e Kosovës ka interes të plotë që procesi i 7 qershorit të zhvillohet me rregull, transparencë dhe në përputhje me standardet demokratike.”, thuhet mes të tjerash në reagimin e Presidencës.



Të tjera
Projekti i SHKK-së në top 5 të Evropës
AIP thirrje partive: Mbroni të dhënat e qytetarëve gjatë fushatës zgjedhore
Kosova dhe Shqipëria me marrëveshje për patrullim të përbashkët rrugor