Presidenti i Federatës Palestineze të Futbollit, Jibril Rajoub, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara i kanë refuzuar vizën për të marrë pjesë në aktivitetet e Kupës së Botës 2026, pavarësisht ftesës zyrtare që FIFA u dërgon tradicionalisht presidentëve të të gjitha federatave kombëtare.
Rajoub ishte i pranishëm në ndeshjen hapëse të turneut në Mexico City, por tha se ishte ndër zyrtarët sportivë që ose kanë marrë refuzim për vizë, ose ende nuk kanë marrë një përgjigje nga autoritetet amerikane.
“Nuk mendoj se është e drejtë që e drejta e futbollistëve dhe përfaqësuesve të futbollit nga e gjithë bota për të marrë pjesë në këtë ngjarje të përdoret ose të abuzohet në këtë mënyrë,” deklaroi ai.
Sipas raportimeve, Rajoub nuk është i vetmi që është përballur me probleme hyrjeje në SHBA gjatë Botërorit. Autoritetet amerikane kanë refuzuar më herët hyrjen edhe për përfaqësues të vendeve të tjera, përfshirë arbitrin somalez Omar Artan dhe një fotograf që shoqëronte kombëtaren e Irak.
Deri tani, autoritetet amerikane nuk kanë dhënë një koment zyrtar lidhur me rastin e Rajoub apo arsyet e refuzimit të vizës së tij.
Çështja ka ngjallur debat në prag të ndeshjeve të Botërorit, pasi SHBA është një nga vendet organizatore të turneut dhe mikpritëse e shumë delegacioneve sportive nga e gjithë bota.



Të tjera
Gjenerali i KFOR-it merr pjesë në aksionin e dhurimit të gjakut në Prishtinë
Në Ditën e Çlirimit, bashkëluftëtarët nderojnë dëshmorin Hyzri Talla
Murati: Të hënën ekzekutohen shtesat për punëtorët e sektorit privat