Trump pret sot nënshkrimin e marrëveshjes me Iranin, Netanyahu mbledh kabinetin e sigurisë në Izrael

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se një marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit për t’i dhënë fund tensioneve në Lindjen e Mesme mund të nënshkruhet gjatë ditës së sotme.

Megjithatë, Teherani nuk ka konfirmuar afatin kohor të përmendur nga kreu i Shtëpisë së Bardhë, duke folur vetëm për një marrëveshje të mundshme “në ditët në vijim”.

Trump tha se nënshkrimi i marrëveshjes do të shënonte edhe hapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit për trafikun ndërkombëtar detar, ndërsa shtoi se Irani nuk synon më të zhvillojë armë bërthamore.

Ndërkohë, presidenti pakistanez Shehbaz Sharif, vendi i të cilit po luan rol ndërmjetësues në negociata, u shpreh optimist se marrëveshja mund të finalizohet brenda 24 orëve dhe të pasohet nga bisedime teknike gjatë javës së ardhshme.

Zhvillimet kanë shkaktuar shqetësim në Izrael. Sipas mediave izraelite, kryeministri Benjamin Netanyahu ka thirrur një mbledhje urgjente të kabinetit të sigurisë, mes raportimeve se Uashingtoni mund të ketë pranuar disa nga kërkesat kryesore të Teheranit. Zyrtarë izraelitë kanë shprehur frikën se kushtet e marrëveshjes mund të cenojnë interesat e sigurisë së vendit.

Nga ana tjetër, kryeministri britanik Keir Starmer ka mbështetur përpjekjet diplomatike të Trumpit. Në një bisedë telefonike mes dy liderëve, Starmer theksoi rëndësinë e arritjes së një paqeje të qëndrueshme dhe rivendosjes së lirisë së lundrimit në rajon, me qëllim zbutjen e pasojave ekonomike globale të konfliktit.

Pavarësisht optimizmit të shprehur nga Uashingtoni, mbetet ende e paqartë nëse marrëveshja do të nënshkruhet sot apo në ditët e ardhshme, ndërsa vëmendja ndërkombëtare është përqendruar te negociatat./Top Channel