Skocia rikthehet me fitore në Botëror pas më shumë se tri dekadash – Ekonomia Online

Skocia rikthehet me fitore në Botëror pas më shumë se tri dekadash

Skocia ka arritur fitoren e parë në Kupën e Botës pas një pritjeje të gjatë që nga viti 1990, duke mposhtur Haitin në ndeshjen hapëse të Grupit C.

Në takimin e zhvilluar në Boston të Shteteve të Bashkuara, skocezët triumfuan me rezultat minimal 1:0, në një ndeshje të zhvilluar në orët e para të mëngjesit të së dielës.

Golin e vetëm dhe vendimtar të sfidës e shënoi John McGinn në minutën e 28-të, duke i siguruar Skocisë tre pikë të rëndësishme në start të turneut.

Me këtë fitore, Skocia merr kryesimin e grupit me tri pikë, ndërsa ndeshja tjetër mes Marokut dhe Brazilit është mbyllur me barazim.

Fitorja e sotme ka një simbolikë të veçantë për skocezët, të cilët kishin pritur plot 13 mijë e 147 ditë për një sukses në Kupën e Botës. Skocia nuk kishte shënuar fitore në turne që nga viti 1990, ndërsa pjesëmarrjen e fundit e kishte regjistruar në vitin 1998.

Në anën tjetër, Haiti po merr pjesë në Botëror për herë të dytë në histori, duke kërkuar të lërë më shumë gjurmë se në debutimin e vitit 1974, kur kishte pësuar tri humbje.