Aksioni i Policisë dhe ATK-së në veri/ Sveçla: Sundimi i rendit dhe ligjit, qëllimi ynë

Sveçla pas arrestimeve për kríme lúfte: S’do të ketë kompromis ndaj autorëve të krímeve në Kosovë

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përshëndetur operacionin e zhvilluar nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë, gjatë të cilit u arrestuan pesë persona të dyshuar për përfshirje në masakrën e Reçakut, si dhe një tjetër i dyshuar për vrasjen e civilëve në Ponesh, përcjell KosovaPost.

Sveçla thekson se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara në hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës, duke nënvizuar se përgjegjësit për krimet e kryera gjatë luftës nuk do të mbeten jashtë drejtësisë.

Ai vlerësoi angazhimin e Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale dhe Agjencisë Kosovare të Inteligjencës në realizimin e operacionit, duke e cilësuar atë si rezultat të bashkëpunimit institucional në luftën kundër pandëshkueshmërisë.

Sipas Sveçlës, vendosja e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre mbetet një detyrë e rëndësishme shtetërore. Ai theksoi se institucionet do të vazhdojnë punën për identifikimin dhe ndjekjen e të gjithë personave që dyshohen për përfshirje në krime lufte, me qëllim që secili rast të trajtohet në përputhje me ligjin dhe procedurat gjyqësore.

“Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe për këtë fakt, të gjithë ata që kanë planifikuar, urdhëruar apo zbatuar krime kundër popullit tonë duhet të ballafaqohen me drejtësinë. Plaga e dhimbjes së familjeve të viktimave dhe e mbarë shoqërisë sonë mbetet e madhe, por drejtësia është detyrim institucional dhe moral që nuk parashkruhet”, ka shkruar ai në Facebook.