Lionel Scaloni ka mbetur i mahnitur nga paraqitja e Lionel Messit në fitoren 3-0 të Argjentinës ndaj Algjerisë, duke deklaruar se kapiteni argjentinas do të vazhdojë të jetë lojtari më i mirë në botë për aq kohë sa dëshiron të luajë futboll.
Messi shkroi histori në ndeshjen hapëse të grupit J në Kupën e Botës 2026, duke realizuar het-trikun e tij të parë ndonjëherë në këtë turne. Me tre golat ndaj Algjerisë, ai barazoi rekordin e Miroslav Klose si golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës, me nga 16 gola secili.
Në moshën 38 vjeç e 357 ditë, Messi u bë lojtari më i vjetër që realizon het-trik në një Kupë Bote, duke thyer rekordin e Cristiano Ronaldos, i vendosur në vitin 2018 ndaj Spanjës. Ai gjithashtu u bë futbollisti më i vjetër që shënon më shumë se një gol në një ndeshje të Kupës së Botës, duke kaluar rekordin e Roger Milla.
Pas ndeshjes, Scaloni nuk i kurseu elozhet për kapitenin e tij.
“Nuk kam fjalë për Leon. Ai po e bën këtë prej 20 vitesh. Ajo që bën dhe ajo që transmeton është e pabesueshme”.

“Përveç tre golave, Messi e mori skuadrën mbi supe dhe, derisa ai të dëshirojë, do të jetë më i miri. Është emocionuese ta shohësh në këtë nivel, pothuajse në moshën 39-vjeçare. Është e vështirë të shpjegohet”.
Scaloni beson se vitet e fundit kanë qenë periudha më e bukur e Messit me fanellën e kombëtares.
“Ai gjithmonë ka luajtur shumë mirë, por vitet e fundit me Argjentinën kanë qenë të mrekullueshme. Ai gjeti një grup miqsh që luajnë me të, jo që e shohin si një zot. Ai transmeton diçka që është e vështirë të shpjegohet, ka një aurë të veçantë”.
Edhe vetë Messi minimizoi rëndësinë e rekordit historik, duke insistuar se statistikat nuk janë ato që e motivojnë.
“Të them të drejtën, nuk më intereson. Është një nder të jem aty për shkak të asaj që përfaqëson Klose. Aty është edhe Ronaldo, është edhe Mbappe. Është vetëm një statistikë dhe asgjë më shumë”.
“Jemi krenarë që mund të krahasohemi me ta, por kjo nuk do të thotë asgjë për mua. Ronaldo ishte një nga lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe nuk është i pari në atë listë, kështu që është vetëm një statistikë”.



Të tjera
Pas rezultatit zgjedhor, PDK-ja shpall zgjedhjet e brendshme
KQZ përmbyllë numërimin e të gjitha fletëvotimeve, vendos të rinumërohen 185 vendvotime
MAPL refuzon vendimin për largimin e obeliskut në Mitrovicën e Veriut