MAPL refuzon vendimin për largimin e obeliskut në Mitrovicën e Veriut

MAPL refuzon vendimin për largimin e obeliskut në Mitrovicën e Veriut

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka vlerësuar se vendimi i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut për largimin e obeliskut “I Love Mitrovica” është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Sipas vendimit të MAPL-së, akti i komunës është shqyrtuar në bazë të raportit të monitorimit të mbledhjes së Kuvendit të mbajtur më 25.05.2026, dhe është konstatuar se ka shkelje procedurale gjatë procesit të miratimit.

Në arsyetimin e ministrisë thuhet se anëtarët e Kuvendit nuk janë njoftuar me materialet e rendit të ditës sipas afatit ligjor prej 7 ditësh pune, siç përcakton Ligji Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale. MAPL thekson se mungesa e materialeve të mbledhjes përbën shkelje procedurale dhe e bën të kontestueshëm vendimin e marrë.

Bazuar në këto shkelje, MAPL kërkon nga Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut që të rishqyrtojë dhe harmonizojë aktin brenda afatit ligjor prej 30 ditësh.

Ndërkohë, Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut në mbledhjen e 25 majit 2026 kishte miratuar vendimin për largimin e mbishkrimit “♥ Mitrovica” nga një nga rrugët e qytetit, me 12 vota “për” nga anëtarët e pranishëm.

Ky mbishkrim ishte vendosur pas 02.10.2025, kur ish-ekzekutivi kishte larguar mbishkrimin e mëhershëm cirilik “Kosovska Mitrovica” dhe e kishte zëvendësuar me simbolin e ri me zemër të gjelbër dhe stemën e komunës.

Ndërsa më 5 qershor të këtij viti, një grup zyrtarësh dhe qytetarësh serbë e kishin dëmtuar obeliskun “I love Mitrovica”, gjatë një veprimi për heqjen e tij, me pretendimin se veprimi po bëhej në bazë të një vendimi komunal.