Presidentja Musar, ushtarëve në KFOR: Kosova dhe BP, shumë të rëndësishme për Slloveninë

Presidentja e Sllovenisë paralajmëron qeverinë e re për shkeljet në G@za dhe të ligjit ndërkombëtar

Presidentja e Sllovenisë, Natasa Pirc Musar, ka paralajmëruar se do të ndërhyjë nëse sheh kërcënime ndaj rendit kushtetues, pavarësisë së institucioneve ose të drejtave të njeriut, duke theksuar nevojën për të qenë të vëmendshëm ndaj shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë në Gaza, transmeton Anadolu.

“Këto vlera për mua nuk janë as të majta as të djathta… ato janë universale… ato janë busulla ime, të cilën nuk do ta ul pavarësisht drejtimit të erës politike të përditshme”, ka thënë Pirc Musar, sipas N1 Info.

Ajo i ka bërë këto deklarata gjatë një pritjeje në Pallatin Presidencial në Lubjanë, ku është takuar me kryeministrin Janez Jansa dhe anëtarët e kabinetit të tij të ri.

Pirc Musar ka thënë se do të vazhdojë të “ngrejë alarmin” sa herë që vlerëson se parimet kushtetuese, pavarësia institucionale ose të drejtat themelore janë nën kërcënim.

Presidentja gjithashtu ka thënë se Sllovenia duhet të mbetet e vëmendshme ndaj shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut në mbarë botën, duke iu referuar në mënyrë eksplicite Gazës në deklaratën e saj.

Ajo ka bërë thirrje për bashkëpunim më të fortë mes qeverisë dhe opozitës dhe ka kërkuar një kulturë politike të bazuar në dialog dhe respekt për vlerat demokratike.

Ndërkaq, Jansa ka thënë se qeveria po merr detyrën në “kohë sfiduese” dhe ka theksuar se politika e jashtme, mbrojtja dhe çështjet demografike janë fusha kyç për bashkëpunim me presidencën.