Çun Lajçi i thotë të vërtetat në sy Përparim Ramës – Pse aktori i madh ndihet i ‘tradhtuar’ nga vota e tij?

Aktori i njohur, Çun Lajçi, ka reaguar me kritika ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke i bërë thirrje që të fokusohet te problemet e qytetit dhe jo te polemikat politike.

Në një postim publik, Lajçi tha se Prishtina po përballet me rrëmujë, grumbuj dheu, mbeturina dhe punime të papërfunduara, veçanërisht në zonën pranë Katedrales, duke kërkuar më shumë angazhim për përmirësimin e gjendjes në kryeqytet.

“Prishtina nuk ka nevojë për polemika. Ka nevojë për punë”, ka theksuar ai, duke kujtuar edhe premtimin e Ramës se kishte lënë Londrën për ta “shpëtuar Prishtinën”.

Postimi i plotë:

O Përparim,

O vlla.

O djali i profesorit tim, Kadrushit.

Mos u merr me Dejonën, mos harxho kohë, se s’t’kam votu për parti po për Kryetar Komune!

Pse merreni me historitë e të tjerëve, tue harrue arsyen pse erdhe në Prishtinë?

“E braktisa Londrën për me e shpëtue Prishtinën”, kështu deklarove kur erdhe.

Po tash?

Çka ke me i ba Prishtinës, që ka mbetë as livadh, as sërnishtë?

Qyteti po mbytet në dhe, në zall e në rrëmujë, e ju po merreni me muhabete që nesër askush s’i kujton.

Prishtina nuk ka nevojë për polemika.

Ka nevojë për punë.