Vance: Është arritur “përparim i madh” në bisedimet me Iranin, do të ketë “përparim shtesë” në orët në vijim

Vance: Është arritur “përparim i madh” në bisedimet me Iranin, do të ketë “përparim shtesë” në orët në vijim

Zv/presidenti amerikan, JD Vance, ka deklaruar se “është arritur përparim i madh” gjatë orëve të fundit në bisedimet me Iranin dhe shprehu shpresën se “do të ketë përparim shtesë” në orët në vijim, teksa negociatat mes dy palëve nisën në Zvicër, transmeton Anadolu.

“Ne tashmë kemi bërë përparim të madh vetëm gjatë orëve të fundit dhe pres që të ketë përparim të mëtejshëm në orët e ardhshme”, tha Vance në fjalën e tij para hapjes së bisedimeve në Burgenstock.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, së bashku me homologun e tij nga Katari, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, hapën bisedimet që synojnë zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit të Islamabadit, të nënshkruar më 17 qershor.

Vance tha se objektivi i bisedimeve me Iranin është “transformimi” i Lindjes së Mesme.

Ai shtoi se nëse Irani është i gatshëm të heq dorë nga ambiciet e tij për armë bërthamore në afat të gjatë, atëherë SHBA-ja është e gatshme të transformojë rrënjësisht marrëdhëniet e saj me Teheranin.

“Ky është sigurisht qëllimi ynë. Ky është një takim historik. Kurrë më parë, jashtë Islamabadit dhe gjatë muajve të fundit, udhëheqësit iranianë dhe amerikanë nuk janë takuar në një nivel kaq të lartë”, shtoi ai.

I pyetur për shkeljet e vazhdueshme të armëpushimit nga Izraeli në Liban, ai tha:

“Kemi parë përparim të madh gjatë ditëve të fundit për të siguruar që armëpushimi të mbahet në Liban. Këto gjëra janë gjithmonë disi të ndërlikuara. Nëse ktheheni pas dhe shikoni se çfarë po ndodhte tre muaj më parë dhe e krahasoni me situatën e tre javëve më parë, dallimi është i dukshëm”, shtoi ai.